SHBA-ja shpenzoi miliona dollarë për të luftuar ndikimin rus, Kosovës i ndau mbi 61 milionë

Inspektorati i Departamentit Amerikan të Shtetit ka publikuar një raport mbi “Luftimin e Fondit të Ndikimit Rus”, CRIF, ku zbuloi se ka shpenzuar miliona dollarë për financimin e “organizatave të shoqërisë civile dhe subjekteve të tjera për sundimin e ligjit, mediat, organizatat kibernetike dhe programe të tjera që forcojnë institucionet dhe proceset demokratike dhe kundërshtojnë ndikimin dhe agresionin rus”.

Sipas raportit të bërë publik sot, del se shuma më e madhe e investuar, gjithsej 621,555,857 milionë dollarë, ka shkuar në vendet e Evropës Qendrore, Lindore, të Ballkanit dhe V4, nga viti 2017 deri në vitin 2022, raporton Klankosova.tv.

Në këtë listë hyn edhe Kosova, për të cilën në këtë periudhë janë ndarë mbi 61 milionë dollarë (61,157,070).

Moldavia përfitoi shumën më të madhe si e vetme, gjithsej 98,172,456 dollarë, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 80,846,580 dollarë, Maqedonia e Veriut 67,472,572 dollarë dhe më pas Rumania 66,146,297 dollarë. Serbia 55,567,000 dollarë, Mali i Zi, 50,505 dhe Shqipëria 39,020,431 dollarë.

Qëllimi i CRIF është të ofrojë ndihmë të huaj për vendet e cenueshme ndaj ndikimit dhe agresion nga Federata Ruse që nuk kanë aftësitë ekonomike për t’i bërë ballë në mënyrë efektive.

Ndihma e CRIF ofrohet për Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe vendet që kërkojnë anëtarësim në ato organizata, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Gjeorgjinë, Kosovën, Maqedoninë, Moldavinë, Serbinë dhe Ukrainën.

 

Kategoritë
LajmeVendi