Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se nga tre burime ka mësuar se negociatorët amerikanë, të cilët po ushtrojnë presion mbi Kievin për të siguruar qasje në mineralet kritike të Ukrainës, tani po shqyrtojnë mundësinë që këtij vendi t’i mohohet qasja në Starlink.
Bëhet fjalë për sistemin satelitor të internetit Starlink të Elon Musk-ut, i cili është jetik për Ukrainën gjatë luftës, pasi i mundëson përdorimin e internetit pavarësisht infrastrukturës së shkatërruar.
Vazhdimi i qasjes në këtë sistem ishte temë diskutimi gjatë negociatave midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky refuzoi propozimin fillestar të sekretarit amerikan të financave, Scott Bessent. Çështja u ngrit sërish të enjten gjatë takimeve midis Keith Kellog, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën, dhe Zelenskyt, tha një burim i njohur me bisedimet.
Gjatë takimit, Ukrainës iu bë e qartë se do të përballej me ndërprerjen e menjëhershme të shërbimit nëse nuk arrihet një marrëveshje për mineralet kritike, tha burimi që kërkoi anonimitet për të folur rreth negociatave të mbyllura.
“Ukraina mbështetet te Starlink-u. Ata e shohin atë si yllin e tyre polar,” tha burimi dhe shtoi: “Humbja e Starlink-ut… do të ishte një goditje e madhe.”
Zelensky hodhi poshtë kërkesat e administratës së presidentit Donald Trump për pasuritë minerare në vlerë prej 500 miliardë dollarësh nga Ukraina si kthim për ndihmën ushtarake, duke thënë se SHBA nuk ka ofruar garanci të veçanta sigurie.
Të premten, presidenti ukrainas deklaroi se ekipet amerikane dhe ukrainase po punojnë për një marrëveshje, ndërsa Trump tha se pret që marrëveshja të nënshkruhet së shpejti.