SHBA në OKB: Më 2 maj Kurti e Vuçiq diskutojnë për formimin e Asociacionit

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentisn ka deklaruar se në takimin e 2 majit në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, do të diskutohet edhe për hapat e mëtutjeshëm të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

DeLaurentis në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, tha se SHBA inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të lëvizin me shpejtësi për zbatimin e zotimeve të tyre dhe të shmangin krizat që mund të pengojnë progresin.

Përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha reagoi për mos lejimin e ministres Donika Gërvalla që të flas në gjuhën shqipe, duke thënë se kjo është kundër rregullave të OKB-së.

Ai përmendi pranimin e kërkesës së Kosovës për Këshillin e Evropës, si dhe u ndal te dialogu Kosovë-Serbi, konkretisht edhe tek marrëveshja e Ohrit.

Sa i përket gjuhës ka reaguar edhe presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, i cili lexoi rregullin 44.

Atij i reagoi përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentisn, duke i thënë se sqarimi i përfaqësuesit të Shqipërisë, ishte i duhur. E rusi Nebenzia i tha se tanimë dihet qëndrimi i SHBA-ve për çështjet që lidhen me Kosovën.

Përfaqësuesja e Francës tha se janë të kënaqur me përkushtimin e Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër.

Sipas saj, Franca pret përkushtim nga të dyja palët drejt integrimeve evropiane dhe ftoi të dyja palët që të përmbahen nga gjuha fyese.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar përshëndeti përpjekjet e Qeverisë për luftën ndaj korrupsionit, duke thënë se mbështesin rezolutën 1244 por kushtet në terren janë të papranueshme që nga viti 99 dhe koha tregon që nevojitet një rishikim të statusit të UNMIK-ut dhe përshtatjet në terren.

Ai shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen për themelimin e Asociacionit dhe krijimin e kushteve të sigurisë për udhëheqësit e rijnë në veri.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi