“Niveli 4: Mos udhëtoni në Siri”, tha Departamenti i Shtetit, duke paralajmëruar amerikanët për kërcënime të vazhdueshme, përfshirë terrorizëm, trazira civile, rrëmbime, konflikte të armatosura dhe ndalime të padrejta
Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka bërë të ditur se po gjurmon informacione të besueshme në lidhje me “sulme të mundshme të afërta” në Siri, duke përfshirë në lokacione të njohura me turistë, transmeton Anadolu.
“Niveli 4: Mos udhëtoni në Siri”, tha Departamenti i Shtetit, duke paralajmëruar amerikanët për kërcënime të vazhdueshme, përfshirë terrorizëm, trazira civile, rrëmbime, konflikte të armatosura dhe ndalime të padrejta.
“Asnjë pjesë e Sirisë nuk duhet të konsiderohet e sigurt nga dhuna”, tha departamenti amerikan, duke paralajmëruar se grupet terroriste “vazhdojnë të komplotojnë rrëmbime, bombardime dhe sulme të tjera në Siri”.
“Ata mund të kryejnë sulme me pak ose pa asnjë paralajmërim, duke vënë në shënjestër ngjarjet publike, hotelet, klubet, restorantet, vendet e adhurimit, shkollat, parqet, qendrat tregtare, sistemet e transportit publik dhe zonat ku mblidhen turma të mëdha”, thuhet më tej.
Ambasada e SHBA-së në Damask është mbyllur që nga viti 2012 pas shpërthimit të luftës civile dhe qeveria amerikane nuk ofron shërbime konsullore në Siri.
Bashar al-Assad, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vjet, u arratis në Rusi në muajin dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që ka qenë në pushtet që nga viti 1963. Qeveria aktuale siriane drejtohet nga presidenti Ahmed al-Sharaa.