SHBA pasi mblodhi mbetjet nga deti: Balona me teknologji spiunimi, flota e Kinës ka fluturuar mbi 40 shtete

Balona që fluturoi për disa ditë mbi qiellin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ishte lëshuar për qëllime meteorologjike, por për spiunazh. Në këtë përfundim ka dalë sot administrata Biden pasi zyrtarët tërhoqën nga deti mbetjet e mjetit fluturues pasi u qëllua me avionë luftarakë.

Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, administrata Biden ka dalë në përfundimin se balona funksiononte me teknologji të mbikëqyrjes elektronike, të aftë për të monitoruar komunikimet në tokën amerikane.

Balona mund të mblidhte sinjale të inteligjencës dhe ishte pjesë e një flote që ka fluturuar në më shumë se 40 shtete në pesë kontinente”.

Mjeti fluturues, sipas SHBA-së, ka qenë pjesë e një flote balonash të Republikës Popullore të Kinës, të ndërtuara posaçërisht për të kryer operacione vëzhgimi. Prodhuesi, tha më tej zyrtari, është i lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës.

Zyrtari bëri po ashtu të ditur se SHBA po sheh mundësinë për të sanksionuar Kinën për praninë e balonës në hapësirën e saj ajrore. Ky veprim është cilësuar nga SHBA si shkelje të sovranitetit të vendit dhe të ligjit ndërkombëtar.

Sipas qëndrimit të mbajtur nga SHBA, teknologjia me të cilën ishte pajisur balona, i krijonte mundësinë që të mblidhte informacione nga komunikimet dhe radarët.

Megjithatë, pavarësisht teknologjisë me të cilën thuhet se ishte pajisur balona, SHBA thotë se ka mundur që të parandalojë përgjimin e komunikimeve në vend.

Kategoritë
BotaLajme