SHBA sanksionoi Kosovën pasi Kurti s’i dëgjoi këshillat, njoftimi erdhi pas mesnate

Kosova u përjashtua nga ushtrimi i madh ushtarak, “Defender Europe ’23”, i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, e të cilin krerët e shtetit e kishin konsideruar ngjarje historike para disa ditëve. Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier tha se kjo është pasoja e parë, pasi, siç tha ai, kryeministri Albin Kurti injoroi kërkesat e Washingtonit për shtensionimin e situatës. Të premten, për shkak të ngjarjeve në veri të vendit, Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëroi pasoja në marrëdhëniet dypalëshe.

Kosovës i ka ardhur ndëshkimi i parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëroi pasoja në marrëdhëniet dypalëshe kur Qeveria vendosi t’i fusë me Polici kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat veriore të vendit.

Sot Rreth orës 04:00 të mëgjesit, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi se “për shkak të situatës në veri të vendit”, ishte anuluar aktiviteti i paraparë për sot (DV DAY), në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23””.

Ministria e kishte përgatitur organizimin e Ditës së Vizitorëve të Shquar të ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në Ballkan, “Defender Europe ’23”, i planifikuar të mbahet në orën 11:00 në Babaj të Bokës në Gjakovë.

Presidentja Vjosa Osmani kishte planifikuar që pak pas drekës t’iu adresohej ushtarakëve të “Defender Europe ’23”.

Por ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka treguar tash se kjo është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës që refuzoi t’i dëgjonte thirrjet e Washingtonit për shtensionimin e situatës në veri.

“Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, tha Hovenier.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.

Kush është gjenerali amerikan që e mori vendimin

Siç tha ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, vendimi për përjashtimin e Kosovës nga këto stërvitje u mor gjatë natës nga komandanti amerikan për Europën.

Christopher G. Cavoli është gjenerali i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara që shërben si komandant i Komandës Europiane të SHBA-së nga 1 korriku 2022 dhe Komandant Suprem i Aleatëve për Europë që nga 4 korriku 2022. Është ai që ka marrë vendim që ta përjashtojë Kosovën nga kjo ngjarje e rëndësishme.

I ngarkuar në këmbësorinë nga Korpusi i Trajnimit të Oficerëve Rezervë, Cavoli kishte shërbyer edhe në luftën në Afganistan.

Ai e kishte marrë komandën e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Europë në një ceremoni më 18 janar 2018 pasi ishte konfirmuar nga Senati për gradim në gjeneral-lejtnant më 20 dhjetor 2017.

Çka është “Defender Europe”, ngjarja nga e cila u përjashtua Kosova?

Manovra e NATO-s “Defender” përbën njërin nga ushtrimet më të mëdha fushore amerikane në Europë në të paktën 25 vjetët e fundit.

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më 21 maj, u mbajt ceremonia e hapjes së stërvitjeve ushtarake të ushtrisë amerikane dhe NATO-s, “Defender Europe 2023”.

Deri më 2 qershor, Kosova do të ishte nikoqire e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe”, që do të mbahej në Babaj të Bokës të Gjakovës. FSK radhitej e katërta në këtë ushtrim në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit që do të merrte pjesë. Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Kosova parashihej të kishte trefishin e numrit të ushtarëve që do të merrnin pjesë në stërvitjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Vjosa Osmani, duke folur në ceremoninë e nisjes së këtij ushtrimi të madh ushtarak, kishte thënë atë ditë se kjo përbënte diçka historike për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin europian, për Forcën tonë të Sigurisë”, shprehej Osmani.

Presidentja theksonte se objektivi kryesor i ushtrimit “Defender Europe ’23” është “që ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të Shteteve të Bashkuara dhe forcave aleateve kundër agresorëve të mundshëm dhe për t’i siguruar aleatët dhe partnerët europianë se kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme”.

Në ceremoninë e hapjes ku kishte marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier dhe figura të tjera publike, kryeministri Albin Kurti e kishte vlerësuar këtë ushtrim si “ngjarja me e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur në Kosovë”.

“Republika jonë sot është e nderuar që për herë të dytë është vend nikoqir i ushtrimit që shtrihet prej zonës së Mesdheut e deri në kufijtë lindorë të kontinentit tonë. Mbi 1300 ushtarakë të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krahë të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shprehej Kurti, duke theksuar se “përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme, ashtu siç është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake”.

Stërvitjet e koduara “Defender Europe” janë stërvitje vjetore shumëkombëshe të udhëhequra nga SHBA dhe NATO. Natyra e tyre është mbrojtëse dhe fokusohet në parandalimin e agresionit. Një stërvitje e tillë ishte mbajtur në vitin 2021, në disa vende të Evropës si në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Estoni, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Maqedoni të Veriut dhe Rumani.

Kategoritë
LajmeVendi