Mbështetësit e presidentit amerikan Donald Trump u futën edhe në ndërtesat zyrtare në shtetet Kansas dhe Georgia, pasi paraprakisht u futën në ndërtesën e Kongresit në Washington.
Protestuesit po lëviznin brenda katit të parë të Kansas Statehouse në Topeka, kryeqytetin e Kansasit, njoftoi FOX4 News duke cituar dëshmitarë okularë, transmeton AA.
Sipas raportimeve, policia ka zënë pozicionet e saj në ndërtesë dhe protestuesit po qëndrojnë paqësorë deri në këtë moment.
Përpos kësaj, sipas reporteres të Washington Post, Amy Gardner, anëtarë të supozuar të një milicie u mblodhën para Georgia Capitol, ndërsa Sekretari i Shtetit Brad Raffensperger është evakuuar së bashku me stafin e tij.
Senati amerikan ndërpreu debatin për Kolegjin Zgjedhor pasi protestuesit e zemëruar sulmuan ndërtesën e Kongresit në Washington, duke detyruar policinë që të ndërhynte.
Kryebashkiaku i Washington-it, Muriel Bowser, shpalli orë policore duke filluar nga ora 18:00 sipas kohës lokale.
Incidenti ndodhi disa minuta pasi nënpresidenti Mike Pence njoftoi se ka refuzuar kërkesën e Trump-it që të ndërhynte në numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor nga Kongresi, në kohën kur ligjvënësit amerikanë u mblodhën në një seancë të përbashkët.