Shea: Emërimi i Marco Rubio si Sekretar i Shtetit mund të rrezikojë politikat e SHBA-së në Ballkan dhe Kosovë

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka komentuar emërimin e senatorit amerikan Marco Rubio si Sekretar i Shtetit, duke theksuar se kjo mund të ketë pasoja të kufizuara për politikat amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe, konkretisht, për Kosovën.

Sipas Shea, megjithëse Rubio ka një përvojë të konsiderueshme në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, interesi i tij kryesor ka qenë gjithnjë në lidhje me Kinën dhe Amerikën Latine, dhe jo me Evropën ose NATO-n.

“Duhet të presim që Rubio të konfirmohet nga Senati, por kjo nuk duhet të jetë problem pasi emërimi i tij ka qenë më pak i diskutueshëm se ai i shumë kandidatëve të tjerë të Trump. Rubio ka një përvojë të marrëdhënieve ndërkombëtare, por interesi i tij dërrmues ka qenë për Kinën dhe Amerikën Latine”.

Ai theksoi se, përkundër përvojës së Rubio-s në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ai nuk ka një historik të ngushtë lidhur me Evropën, Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n, që janë çështje të rëndësishme për rajonin e Ballkanit.

“Ai nuk ka historikun e Antony Blinken në Evropë, BE dhe NATO. Kështu që nuk pres që ai të jetë veçanërisht i shqetësuar për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën”, tha Shea.

Shea vuri në dukje se shumë do të varet nga diplomatët e SHBA-së në Departamentin e Shtetit, të cilët kanë përvojë dhe njohuri të thella për Kosovën dhe rajonin. “Nëse Rubio do të marrë postin, shumë marrëdhënie të vlefshme profesionale dhe ekspertizë e dobishme mund të rrezikohen nëse nuk mbështeten diplomatët e përvojës që e njohin rajonin,” shtoi ai.

Shea gjithashtu theksoi dy elemente kyçe për të ruajtur ndikimin e SHBA-së në rajon. Së pari, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së pranisë ushtarake të SHBA-së përmes KFOR-it dhe mbështetje për integrimin e Kosovës në strukturat e sigurisë të NATO-s. Së dyti, Shea theksoi nevojën që SHBA të emërojë një të dërguar special për rajonin, i cili do të bashkëpunonte me BE-në dhe përdorte presionin diplomatik ndaj Beogradit dhe Prishtinës, për të nxitur përparim në dialogun e Brukselit.

“Përndryshe, shumë marrëdhënie të vlefshme profesionale dhe përvoja dhe ekspertizë e dobishme do të prishen. Dy gjëra kanë rëndësi. Që SHBA të mbajnë trupat e tyre në KFOR dhe të mbështesin integrimin progresiv të sigurisë së Kosovës në strukturat e NATO-s. Dhe së dyti që SHBA-ja vazhdon të emërojë një të dërguar special në rajon për të punuar me BE-në dhe për të përdorur presionin diplomatik ndaj Beogradit ose Prishtinës sipas nevojës për të çuar gjërat përpara”, tha Shea për GazetaBlic.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi