Shefat e diplomacisë ruse dhe izraelite diskutojnë forcimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik

Në njoftim thuhet se të dy diplomatët gjithashtu kanë shqyrtuar situatën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, duke theksuar më tej se ministri rus e ka informuar homologun e tij izraelit për “disa aspekte të situatës në Ukrainë”

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka diskutuar me homologun e tij izraelit, Eli Cohen, për forcimin e potencialit të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik midis Moskës dhe Tel Avivit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Krerët e ministrive të jashtme diskutuan për detyrat aktuale të agjendës dypalëshe, me theks të veçantë në rëndësinë e forcimit të potencialit për bashkëpunim tregtar dhe ekonomik. Në këtë kontekst u theksua nevoja për të thirrur mbledhjen e radhës të Komisionit të Përbashkët Ruso-Izraelit”, thuhet në njoftimin e ministrisë ruse.

Në njoftim thuhet se të dy diplomatët gjithashtu kanë shqyrtuar situatën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, duke theksuar më tej se ministri rus e ka informuar homologun e tij izraelit për “disa aspekte të situatës në Ukrainë”.

Më tej, po ashtu thuhet se ministri Lavrov uroi ministrin Cohen për marrjen e detyrës dhe se Lavrov shprehu “gatishmërinë e tij për të punuar së bashku në interes të forcimit të bashkëpunimit me përfitim reciprok midis Rusisë dhe Izraelit”.

Cohen u emërua si ministër i jashtëm në qeverinë e 37-të izraelite nën kryesimin e Benjamin Netanyahu-t, i cili zyrtarisht u betua në parlamentin izraelit të enjten e kaluar.

Ai do të shërbejë si ministër i jashtëm për vetëm një vit dhe do të bëjë rotacion me anëtarin tjetër të parlamentit, Israel Katz, i cili aktualisht shërben si ministër i energjisë.

Kategoritë
BotaLajme