Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, të enjten hodhi poshtë kritikat ndaj strategjisë së Uashingtonit në negociatat me Rusinë për luftën në Ukrainë dhe paralajmëroi Evropën që të mos e trajtojë Amerikën si një “budalla”, duke ia kaluar përgjegjësinë për mbrojtjen e saj SHBA-së.
“Mos u mashtroni, presidenti Trump nuk do të lejojë askënd ta kthejë Xhaxha Samin në ‘Xhaxhain budalla'”, tha Hegseth në një konferencë për shtyp në selinë e NATO-s në Bruksel.
Ai shtoi se Evropa duhet të jetë kryesisht përgjegjëse për mbrojtjen e kontinentit evropian.
Gjatë paraqitjes së tij të parë ndërkombëtare pas marrjes së detyrës në Pentagon më 24 janar, Hegseth shkaktoi një stuhi kritikash në Evropë kur të mërkurën deklaroi se rikthimi i Ukrainës në kufijtë e vitit 2014 është nerealist dhe se administrata e Donald Trump-it nuk e sheh anëtarësimin e Ukrainës në NATO si pjesë të zgjidhjes për luftën e nisur nga pushtimi rus në vitin 2022.
Kritikat dhe frika për një fitore të madhe të Putinit
Kritikët e deklaratave të Hegseth-it thonë se ato përfaqësojnë dorëzimin e Shteteve të Bashkuara përpara se negociatat me Rusinë të fillojnë, duke e përshkruar këtë si një fitore të madhe për presidentin rus Vladimir Putin.
Të enjten, Hegseth mbrojti deklaratat e tij duke i cilësuar si një pranim të realitetit në fushën e betejës dhe la të hapur mundësinë që SHBA të bëjë lëvizje gjatë negociatave që mund të shihen si lëshime, përfshirë çështje si furnizimet ushtarake për Ukrainën dhe praninë e trupave amerikane në Evropë.
“Mendoj se do të ishte e drejtë të thuhet se çështje si financimi i ardhshëm, qoftë zvogëlimi apo rritja e tij, mund të jenë pjesë e negociatave,” u tha ai gazetarëve, duke shtuar se nuk flet në emër të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Trump i nis bisedimet pa Evropën
Trump të mërkurën bisedoi me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke urdhëruar zyrtarët amerikanë të fillojnë negociatat për t’i dhënë fund luftës që po zgjat gati tre vjet.
Qasja e Trump-it për t’u marrë drejtpërdrejt me Putinin, e shoqëruar me lëshime të dukshme ndaj kërkesave kyçe të Ukrainës, ka shkaktuar shqetësim në Kiev dhe tek aleatët evropianë të NATO-s, të cilët kanë frikë se Shtëpia e Bardhë mund të arrijë një marrëveshje pa ata.
“Ne, si një shtet sovran, nuk do të mund të pranojmë asnjë marrëveshje pa pjesëmarrjen tonë,” tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për gazetarët në Ukrainë.
Zyrtarët evropianë kanë mbajtur një qëndrim të ashpër publik kundër nismës së paqes të Trump-it, duke deklaruar se çdo marrëveshje do të ishte e pamundur të zbatohet nëse ata dhe Ukraina nuk përfshihen në negociata.
“Çdo zgjidhje e shpejtë është një marrëveshje e pistë,” deklaroi shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në një konferencë për shtyp në selinë e NATO-s më herët gjatë ditës.
“Duhet ta bëjmë NATO-n të madhe përsëri”
Hegseth hodhi poshtë pretendimet se po minon NATO-n ose sigurinë evropiane.
“NATO është një aleancë e shkëlqyer, aleanca më e suksesshme mbrojtëse në histori, por për të mbijetuar në të ardhmen, partnerët tanë duhet të bëjnë shumë më tepër për mbrojtjen e Evropës. Duhet ta bëjmë NATO-n të madhe përsëri,” përfundoi ai.