Shefi i CIA-s viziton Arabinë Saudite për të shprehur zhgënjimin për afrimin me Iranin

Burns i ka thënë princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman se SHBA-ja ndihet e “habitur” nga afrimi i Riadit me Iranin dhe Sirinë, tha gazeta Wall Street Journal

Drejtori i CIA-s, Bill Burns, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Arabinë Saudite, duke shprehur zhgënjimin për afrimin e fundit të Riadit me Iranin, sipas një raportimi nga media amerikane, transmeton Anadolu.

Burns i ka thënë princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman se SHBA-ja ndihet e “habitur” nga afrimi i Riadit me Iranin dhe Sirinë – rivalët globalë të Washingtonit – ka thënë gazeta Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me këtë çështje.

Ajo ka cituar një zyrtar amerikan i cili ka thënë se Burns diskutoi bashkëpunimin mbi inteligjencën dhe kundër terrorizmit me zyrtarët sauditë.

Pekini muajin e kaluar priti zyrtarë nga rivalët e vjetër rajonalë Riadi dhe Teherani, ku ranë dakord të rifillojnë marrëdhëniet diplomatike.

Irani dhe Arabia Saudite ndërprenë marrëdhëniet në vitin 2016 pasi ambasada saudite në Teheran u sulmua nga një turmë e zemëruar pas ekzekutimit të një kleriku shiit saudit.

Duke filluar nga prilli 2021, të dyja palët morën pjesë në bisedimet maratonike të ndërmjetësuara nga Iraku dhe Omani, por ishte ndërhyrja e Kinës që rezultoi në një përparim muajin e kaluar.

Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite dhe Iranit u takuan të enjten në Kinë, që ishte takimi i tyre i parë në më shumë se shtatë vjet.

Kategoritë
BotaLajme