Shefi i diplomacisë greke në Beograd: Greqia mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës

Dendias tha se do të udhëtojë për në Prishtinë dhe atje do të përsërisë atë që tha në Beograd dhe theksoi se Greqia vazhdon të mbështesë rrugën evropiane të Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, ka deklaruar se vendi i tij mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme,

Dendias pas takimit me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, tha se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë duhet të zbatohen plotësisht. Ai tha se do të udhëtojë për në Prishtinë dhe atje do të përsërisë atë që tha në Beograd dhe theksoi se Greqia vazhdon të mbështesë rrugën evropiane të Serbisë.

“Besojmë se Serbia është pjesë integrale e BE-së, vendi i Serbisë është në BE dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim rrugën e saj. Është e nevojshme të shfrytëzohet ky moment për të afruar të gjithë rajonin me BE-në dhe ne duhet të mos lejojmë që palët e treta të keqpërdorin vonesat e këtij afrimi. Besojmë se i gjithë gadishulli ballkanik duhet të ketë një të ardhme të përbashkët”, tha Dendias.

Shefi i diplomacisë greke theksoi se është i bindur se Serbia do të vazhdojë reformat në rrugën evropiane, duke shtuar se marrëdhëniet bilaterale janë shumë të mira.

Ai tha se me ministrin Daçiq ka diskutuar për organizimin e samiteve trepalëshe Greqi-Serbi-Maqedoninë e Veriut dhe takimet mes Greqisë, Shqipërisë dhe Serbisë.

Duke folur për situatën në Kosovë, Daçiq, nga ana e tij, ka theksuar se është në interes të Serbisë të ruajë paqen dhe të zhvillojë një dialog për çështjet kontestuese.

“Interesi i Serbisë është që të parandalojë të gjitha incidentet eventuale jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, tha Daçiq.

Ai theksoi se Serbia dëshiron të jetë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe falënderoi Greqinë për mbështetjen e integrimeve evropiane dhe integritetit territorial të Serbisë, si dhe për qëndrimin parimor kur bëhet fjalë për Kosovën.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi