Shefi i diplomacisë polake gjithashtu tha se prania e trupave polake në Ukrainë nuk mund të diskutohet, sepse “detyra e Polonisë ndaj NATO-s është të mbrojë krahun e saj lindor, domethënë territorin e saj”
Ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslaw Sikorski, ka deklaruar se Evropa nuk duhet të ndërtojë ushtrinë e saj të përbashkët, por në vend të kësaj duhet të forcojë ushtritë e saj individuale kombëtare.
Duke folur për trasnmetuesin shtetëror polak ‘TVP World’, Sikorski tha se propozimi i të premtes në Mynih nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për një ushtri të përbashkët të Bashkimit Evropian (BE) nuk do të ndodhë.
“Evropa duhet të zbatojë zgjidhje që do të forcojnë ushtritë kombëtare”, theksoi ai.
Sipas tij, duhet pasur kujdes me termin “ushtri evropiane”, sepse njerëzit e kuptojnë atë ndryshe.
“Nëse me këtë nënkuptoni bashkimin e ushtrive kombëtare, kjo nuk do të ndodhë. Por unë jam një përkrahës i Evropës, BE-së, që zhvillon aftësitë e veta mbrojtëse”, tha Sikorski.
“Nëse SHBA-ja dëshiron që ne të forcojmë mbrojtjen tonë, ajo duhet të jetë një komponent i brendshëm, një komponent i NATO-s, por po mendoj edhe për komponentin evropian të BE-së, subvencionet e BE-së për industrinë e armëve për të rritur kapacitetet tona prodhuese, por edhe forcat e BE-së të denja për emrin e tyre”, shtoi ai.
Shefi i diplomacisë polake gjithashtu tha se prania e trupave polake në Ukrainë nuk mund të diskutohet, sepse “detyra e Polonisë ndaj NATO-s është të mbrojë krahun e saj lindor, domethënë territorin e saj”.
Komentet e fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kanë ngritur shqetësimin e liderëve evropianë se vendimet për luftën në Ukrainë mund të merren pa pjesëmarrjen e BE-së dhe ndoshta edhe pa Kievin.
Gjithashtu ka ngjallur shqetësime edhe reduktimi i mundshëm i forcave amerikane në Evropë.
Vitin e kaluar, Sikorski bëri thirrje për sanksione të BE-së ndaj Rusisë dhe një brigadë të mekanizuar prej 5 mijë trupash të BE-së.
Polonia shpenzon 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, prandaj edhe Sikorski ka bërë thirrje se edhe anëtarët e tjerë të NATO-s duhet të arrijnë këtë shifër.