Shefi i diplomacisë turke: Ankaraja nuk dëshiron konflikt me asnjë vend në Siri

Fidan përsëriti se Türkiye nuk kërkon konflikt me asnjë vend në rajon, por paralajmëroi se Ankaraja nuk mund të mbetet indiferente nëse Siria përballet përsëri me trazira të brendshme që mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare turke.

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se Türkiye nuk ka ndërmend të hyjë në konflikt me asnjë vend në Siri, përfshirë Izraelit, transmeton Anadolu.

Duke folur gjatë një interviste të drejtpërdrejtë në televizionin ‘CNN Turk’, Fidan trajtoi çështjet kryesore dhe iu përgjigj pyetjeve.

“Si Türkiye, ne nuk e kemi ndërmend të përplasemi me asnjë vend në Siri, jo vetëm me Izraelin”, tha Fidan, si dhe theksoi se Siria është një komb i pavarur.

“Është e papranueshme që Izraeli përpiqet të provokojë në Siri duke përdorur ambiciet e tij ekspansioniste në rajon”, shtoi ai.

Fidan përsëriti se Türkiye nuk kërkon konflikt me asnjë vend në rajon, por paralajmëroi se Ankaraja nuk mund të mbetet indiferente nëse Siria përballet përsëri me trazira të brendshme, operacione ose provokime që mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare turke.

“Ne nuk do të rrimë dhe do të vëzhgojmë”, theksoi Fidan.

Fidan po ashtu kritikoi shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake të Sirisë nga Izraeli pas largimit të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Assadit. Ai tha se Tel Avivi ka zhvilluar një strategji për t’u lënë “asgjë” administratës së re siriane dhe forcave të armatosura dhe po e përparon atë hap pas hapi.

“Ne nuk sulmojmë hapur asnjë vend që nuk na sulmon, (por) nëse një zonë e paqëndrueshmërisë shfaqet në një vend fqinj që mund të na dëmtojë gjithashtu edhe neve, ne nuk mund të qëndrojmë spektatorë”, ministri turk, duke shtuar se Türkiye në një rast të tillë ndërmerr hapa, kryesisht diplomatike.

– Kontakte teknike me Izraelin

Më tej, Fidan foli rreth pretendimeve për bisedime të drejtpërdrejta ose indirekte midis Türkiyes dhe Izraelit.

“Derisa po kryejmë operacione të caktuara në Siri, duhet të ketë një mekanizëm de-konflikti në një pikë të caktuar me Izraelin i cili fluturon avionë në atë rajon, ashtu siç bëjmë me amerikanët dhe rusët”, tha Fidan.

“Ekzistojnë kontakte teknike (me Izraelin) për të parandaluar që elementët luftarak të keqkuptojnë njëri-tjetrin”, shtoi ai, duke theksuar se këto kontakte teknike bëhen drejtpërdrejtë kur është e nevojshme.

Duke komentuar marrëdhëniet e presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, me presidentin amerikan, Donald Trump, Fidan tha se “Zoti Trump e respekton presidentin tonë si lider dhe ka një marrëdhënie të mirë me të”.

I pyetur se kur mund të takohen presidentët Erdoğan dhe Trump, ai tha se të dy liderët janë të gatshëm ta bëjnë këtë sa më parë.

Lidhur me takimin e tij me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Fidan tha se ata diskutuan një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë nevojën për të ndaluar bombardimet izraelite në Siri.

– Prania palestineze në Gaza do të nxisë gjithmonë rezistencën

Më tej, Fidan foli edhe për zhvillimet në Rripin e Gazës, duke theksuar se qëllimi i Izraelit nuk është t’i mbajë palestinezët në enklavë.

“Për sa kohë që popullsia palestineze mbetet në Gaza, gjithmonë një lëvizje rezistence do të shfaqet, qoftë në formatin e Hamasit apo në një format tjetër. Pse do të shfaqet një lëvizje rezistence… sepse pushtimi vazhdon. Që të mos ketë lëvizje rezistence atje, palestinezët do të duhet plotësisht të zhvendosen nga atje ku jetojnë”, tha ai.

Lidhur me marrëdhëniet turko-izraelite, Fidan tha se kanë përcaktuar “kushtet e normalizimit tonë me Izraelin”.

“Çështja palestineze është thelbësore për këtë”, tha ai.

– Bisedimet SHBA-Iran

Më tej, Fidan tha se Türkiye mban kontakte si me Iranin ashtu edhe me SHBA-në, si dhe theksoi urgjencën e dialogut të drejtpërdrejtë.

“Para se të udhëtoja për në SHBA, fola me Iranin. Pasi u ktheva, fola përsëri me ta. I përcolla njëra-tjetrës pritjet e të dyja palëve”, tha Fidan.

Siç theksoi ministrit turk, rekomandimi i tij për amerikanët dhe iranianët është “të fillojnë bisedimet ballë për ballë pa vonesë”.

Ai tha se Türkiye nuk dëshiron të shohë një luftë tjetër në rajon.

“Rajoni ynë nuk do ta përballojë atë. Një operacion ushtarak kundër Iranit vetëm se do të rriste paqëndrueshmërinë. Nuk do të arrinte asgjë tjetër”, tha Fidan.

Ai gjithashtu tha se beson se ekziston një bazë për negociata midis Washingtonit dhe Teheranit.

Kategoritë
BotaLajme