Shefi i diplomacisë ukrainase kërkon nga BE-ja të vendosë sanksione ndaj Iranit

Irani përsëri mohoi raportet e mediave perëndimore rreth përdorimit të dronëve iranianë në Ukrainë nga Rusia, derisa Moska javën e fundit rriti sulmet në qytetet ukrainase

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) që të vendosë sanksione ndaj Iranit për shkak se i ka “siguruar dronë” Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ndoshta jam ministri i parë i jashtëm që i drejtohet Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së nga një strehë kundër bombardimit për shkak të sirenës së sulmeve ajrore. Kërkoi më shumë mbrojtje ajrore dhe furnizim me municion”, shkroi Kuleba në twitter.

Kuleba gjithashtu i bëri thirrje BE-së të vendosë sanksione ndaj Iranit për sigurimin e Rusisë me dronë.

Deklarata e tij erdhi disa orë pasi Kievi u godit nga një mori dronësh, duke lënë të paktën katër persona të vdekur.

Sot, Irani përsëri mohoi raportet e mediave perëndimore rreth përdorimit të dronëve iranianë në Ukrainë nga Rusia, derisa Moska javën e fundit rriti sulmet në qytetet ukrainase.

Sipas raporteve në mediat perëndimore, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe evropianë, Irani ka ra dakord të furnizojë Rusinë me dronë dhe raketa tokësore, të destinuara për përdorim në luftën në Ukrainë.

Muajin e kaluar, Ukraina njoftoi uljen e marrëdhënieve të saj me Iranin dhe i hoqi të dërguarit iranian në Kiev akreditimin e tij për atë që ajo e quajti një “vendim jomiqësor” të Teheranit për të furnizuar Rusinë me dronë.

Irani shprehu keqardhje për vendimin ukrainas dhe u zotua për një përgjigje “të përshtatshme” derisa kërkoi nga Kievi të “shmangë ndikimin nga palët e treta që kërkojnë të shkatërrojnë lidhjet mes tyre”.

Kategoritë
BotaLajme