Shefi i mbrojtjes turke: Anijet dhe avionët turk po monitorojnë minat detare lëvizëse

Akar komentoi kërcënimin e minave detare që dyshohet se po lëvizin drejt Turqisë dhe Bullgarisë nga brigjet e Ukrainës, e cila është në luftë me Rusinë që nga fundi i muajit shkurt.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka bërë të ditur se anijet turke për zbulimin e minave dhe avionët e patrullimit detar po monitorojnë nga afër ujërat në brigjet turke në rajonin e Detit të Zi për të zbuluar dhe çaktivizuar minat detare lëvizëse, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara, Akar komentoi kërcënimin e minave detare që dyshohet se po lëvizin drejt Turqisë dhe Bullgarisë nga brigjet e Ukrainës, e cila është në luftë me Rusinë që nga fundi i muajit shkurt.

“Anijet tona për zbulimin e minave dhe anijet patrulluese detare janë të gjitha vigjilente”, tha Akar, duke shtuar se minat e zbuluara do të eliminohen menjëherë pasi tashmë janë marrë masa nga ushtria turke.

Ministri turk theksoi se përpjekjet e autoriteteve turke për të identifikuar burimin dhe numrin e minave detare janë duke u zhvilluar.

Deri më tani, autoritetet turke kanë çaktivizuar të paktën dy mina detare. Një tjetër minë u çaktivizua nga Bullgaria, fqinj tjetër i Turqisë në rajonin e Detit të Zi.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.151 civilë janë vrarë dhe rreth 1.850 të tjerë janë plagosur që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, por theksohet se shifra e vërtetë e viktimave është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se po ashtu mbi 3,8 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Kategoritë
BotaLajme