Shefi i mbrojtjes: Turqia zhvilloi bisedime me Rusinë dhe Ukrainën për shqetësimet rreth marrëveshjes së drithërave

Ai shtoi se dërgesat janë në vazhdim pas anijeve që tashmë janë larguar nga portet e Ukrainës, duke theksuar se anijet me flamur turk nuk kanë pasur probleme në dërgesa

Ministri i Mbrojtjes i Türkiyes, Hulusi Akar, në lidhje me pezullimin rus të marrëveshjes së drithërave ka bërë të ditur se Ankaraja është në kontakt me Rusinë dhe Ukrainën për të adresuar shqetësimet e vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Dje patëm një telefonatë me (ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei) Shoygu. Ata thanë se nuk ndihen rehat me shpërthimet dhe se janë kundër marrëveshjes dhe se ata nuk mund të lejojnë transportin në këto kushte”, u tha Akar gazetarëve në Ankara, duke iu referuar ankesave ruse për sulmin ndaj flotës së saj në Krime të shtunën e kaluar, të cilën e përmendi në pezullimin e saj të marrëveshjes së Istanbulit.

“Menduam se duhet të bisedojmë me Ukrainën. Ne ndamë pikëpamjet dhe shqetësimet e Shoygu-t me ukrainasit”, shtoi Akar.

Ministri turk tha se homologu i tij rus është nde në bisedime me palën e tij, duke shtuar se, “Ne po vlerësojmë faktet për të parë nëse marrëveshja do të zgjatet”.

Akar po ashtu tha se të gjitha palët duhet të jenë të ndjeshme në mbrojtjen e marrëveshjes dhe shtoi se Türkiye shpreson ta shohë atë marrëveshje të zgjatur. Sipas tij, në bazë të marrëveshje, Türkiye priti mbi 10 milionë tonë drithëra ukrainase të eksportuara në botë.

Ai shtoi se dërgesat janë në vazhdim pas anijeve që tashmë janë larguar nga portet e Ukrainës, duke theksuar se anijet me flamur turk nuk kanë pasur probleme në dërgesa.

Të shtunën, Rusia njoftoi pezullimin e saj të marrëveshjes së eksportit të drithërave në Detin e Zi, marrëveshje e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara (OKB).

Më 22 korrik, Türkiye,OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave në Detin e Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt. Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB-ja u formua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat.

Nga ana e saj, Türkiye vazhdon të ndërmarrë iniciativat e nevojshme për të zgjidhur problemet që lidhen me zbatimin e marrëveshjes, në kuadër të së cilës që nga fillimi i gushtit janë transportuar rreth 10 milionë tonë drithëra, duke ndihmuar në frenimin e një krize globale ushqimore.

Kategoritë
BotaLajme