Shefi i NATO-s paralajmëron ndryshime në aleancë: “Duhet të përgatitemi për luftë”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kërkon nga Gjermania rritje të shpenzimeve për mbrojtje dhe zgjerim të prodhimit të armatimeve. Ai theksoi se aleanca duhet të përgatitet për luftë.

“Gjermania, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka bërë shumë gjëra siç duhet. Duke marrë parasysh madhësinë e ekonomisë gjermane, natyrisht që presim të bëjë edhe më shumë. Gjermania duhet të rrisë shpenzimet për armatime, kjo do të jetë e domosdoshme,” tha Rutte për “Bild am Sonntag”.

Ai shtoi se njëkohësisht duhet të rritet edhe prodhimi. Kjo çështje do të jetë temë diskutimi në shumë vende evropiane gjatë muajve të ardhshëm.

“Duhet të përgatitemi për luftë. Kjo është mënyra më e mirë për të shmangur luftën. Evropa nuk duhet të tregojë dobësi ndaj Rusisë. Përndryshe, Rusia mund të përpiqet të bëjë diçka, ashtu siç bëri në Ukrainë,” shtoi Rutte.

Rutte e mbështeti kërkesën e tij me kërcënimet në rritje. “Jo vetëm që situata me Rusinë është e rrezikshme, por edhe Kina po rrit në mënyrë të jashtëzakonshme kapacitetet e saj ushtarake.”

“Të gjithë aleatët e NATO-s – përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – duhet të investojnë më shumë në mbrojtje,” tha Rutte.

Ai deklaroi se objektivi i ri i shpenzimeve të NATO-s është ende në diskutim, duke pasur parasysh samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Hagë, në qershor.

“Megjithatë, mund t’ju garantoj diçka: do të jetë shumë, shumë, shumë më tepër se dy për qind,” theksoi Rutte.

Diplomatët në samit presin një garë të ashpër për objektivin e ri të shpenzimeve, i cili mund të arrijë në tre apo 3.5 për qind. Në këtë kontekst, Rutte bëri thirrje për një unitet më të fortë midis aleatëve.

“NATO si aleancë duhet të mbetet e bashkuar. Por barra duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë midis Evropës, Kanadasë dhe SHBA-së. Në mënyrë që amerikanët të mos paguajnë shumë, ndërsa ne shumë pak,” përfundoi Rutte.

Kategoritë
BotaLajme