Shefi i OKB-së apelon për armëpushim që Ukraina dhe Rusia të negociojnë për paqen

Guterres njoftoi se e ngarkon koordinatorin e tij për çështjet humanitare, Martin Griffiths, që të punojë me Kievin dhe Moskën për të vendosur bazat për një armëpushim

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë që menjëherë të bien dakord për një armëpushim humanitar për të lejuar palët të negociojnë për t’i dhënë fund konfliktit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guterres njoftoi se e ngarkon koordinatorin e tij për çështjet humanitare, Martin Griffiths, që të punojë me Kievin dhe Moskën për të vendosur bazat për një armëpushim, pasi lufta e Rusisë, theksoi ai, vazhdon të çojë në “humbje të pakuptimtë” të mijëra jetëve, si dhe në “shkatërrim sistematik të infrastrukturës thelbësore dhe rritje të çmimeve të ushqimit dhe energjisë në mbarë botën”.

“Kjo duhet të ndalet”, u tha Guterres gazetarëve në selinë e OKB-së në New York.

“Unë fuqishëm apeloj që palët në këtë konflikt dhe komunitetit në tërësi të punojnë me ne për paqen, në solidaritet me popullin e Ukrainës dhe me mbarë botën”, shtoi ai.

Apeli i shefit të OKB-së vjen pasi Rusia dhe Ukraina po përgatiten për bisedime dy-ditore të paqes në Stamboll, që do të fillojnë nga nesër. Disa raunde të bisedimeve në Bjellorusi deri më tani kanë dështuar për të arritur ndonjë përparimin midis palëve.

Më 10 mars, Turqia ishte në titull të mbarë botës për pritjen e shefave të diplomacisë ruse dhe ukrainase në qytetin jugor Antalya, takim i nivelit më të lartë të të dy palëve që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Guterres tha se ai ka qenë në “kontakt të ngushtë” me Turqinë, Katarin, Izraelin dhe vende të tjera Guterres që kërkojnë të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund armiqësive.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.151 civilë janë vrarë dhe rreth 1.800 të tjerë janë plagosur që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, por theksohet se shifra e vërtetë e viktimave është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se po ashtu mbi 3.8 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Kategoritë
BotaLajme