Shefi i Shtabit të Ukrainës: Armiku nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ikë

Zaluzhny theksoi se trupat ukrainase kanë avancuar 36.5 kilometra në drejtim të Khersonit që nga 1 tetori ndërsa sipërfaqja e përgjithshme e zonës së rimarrë është 1.381 kilometra katrorë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, Valeriy Zaluzhny tha se armiku në Kherson nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të arratisej, në lidhje me deklaratën e Rusisë se “vija e mbrojtjes në Kherson do të tërhiqet në bregun e majtë të lumit Dnipro”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në llogarinë e Shtabit të Përgjithshëm në Telegram, Zaluzhny tha se ata shkatërruan rrugët logjistike të armikut dhe sistemin e kontrollit dhe mbështetjes së trupave të tyre në drejtim të Khersonit. “Armiku nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ikë nga Khersoni”, tha ai.

Duke theksuar se “gjesti i vullnetit të mirë” të armikut qëndron pas përpjekjeve të jashtëzakonshme të Njësive të Mbrojtjes së Ukrainës, Zaluzhny tha: “Ashtu siç u tërhoq nga Kievi, rajoni i Kharkovit dhe u largua nga Ishulli i Gjarpërinjve, largimi i tij i mundshëm nga Khersoni është rezultat i veprimeve tona aktive”.

– Ukraina vazhdon ofensivën e saj në Kherson

Duke thënë se deri më tani, ata nuk mund të konfirmojnë dhe as mohojnë informacionin për tërheqjen e supozuar të trupave pushtuese ruse nga Khersoni, Zaluzhny tha: “Ne vazhdojmë ofensivën tonë”.

Zaluzhny theksoi se trupat ukrainase kanë avancuar 36.5 kilometra në drejtim të Khersonit që nga 1 tetori ndërsa sipërfaqja e përgjithshme e zonës së rimarrë është 1.381 kilometra katrorë.

Ai shtoi se u rimorën nën kontroll 41 vendbanime në Kherson.

Zaluzhny tha se në 24 orët e fundit ata përparuan 7 kilometra në drejtim të Petropavlovka-Novoraysk ku çliruan 6 vendbanime si dhe 6 vendbanime tjera në PervoMaysk-Kherson. Ai tha se gjithsej 264 kilometra katrorë tokë u çliruan nga armiku.

Kategoritë
BotaLajme