Shefi i stafit të Gërvallës sulmon mediat, pranon se kaloi pushime private në Tajlandë

Megjithatë ai nuk i ka kursyer sulmet ndaj mediave duke i quajtur ato “këlysht e klanit Pronto”.

Tutje Jakupi ka bërë të ditur se fotografia në Tajlandë është shkrepur gjersa ai ndodhej në pushime private.

“Këlyshët e klanit Pronto po përhapin sërish lajme të rreme. Përmes këtij postimi dua të demantoj artikullin që po qarkullon në disa media online lidhur me një fotografi ku shihem unë në një klub nate gjatë pushimeve private që kam kaluar në Tajlandë”, ka shkruar Jakupi në rrjetin e tij social në Facebook.

“Dua të theksoj që aludimet e mediave duke filluar nga lloji i klub-it e deri tek pjesa që ka mundur të jetë vizitë zyrtare, janë të pavërteta dhe me tendencë të prishin reputacionin tim si individ, profesionist dhe zyrtar shtetëror”, ka shtuar ai.

Nuk është hera e parë që mediat në Kosovë sulmohen nga zyrtarët shtetërorë.

Ishte bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Prindon Sadriu, ai i cili i kishte cilësuar gazetarët në Kosovë si “përfaqësues të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale”, duke kritikuar mediat për lidhjet e tyre me “parapolitikën” dhe për keqpërdorime të tjera. Ai po ashtu kishte thënë se gazetarët po tentojnë ta njollosin punën e presidentes Osmani.

Edhe Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, kishte sulmuar mediat në Kosovës, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje që “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.

Kategoritë
LajmeVendi