Shefi shtabit izraelit: Irani ka fuqinë për të prodhuar 4 bomba bërthamore

“Irani sot ka mjaftueshëm lëndë të pasuruar për të prodhuar katër bomba bërthamore, tre me nivel 20 për qind dhe një me 60 për qind”, tha Kochavi

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Izraelit, Aviv Kochavi, pretendoi se Irani ka lëndë të pasuruar të mjaftueshme për të prodhuar katër bomba bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të transmetuesit publik izraelit KAN, Kochavi, mandati i të cilit do të përfundojë më 16 janar, u takua me përfaqësues të mediave.

“Irani sot ka mjaftueshëm lëndë të pasuruar për të prodhuar katër bomba bërthamore, tre me nivel 20 për qind dhe një me 60 për qind”, tha Kochavi.

Duke vënë në dukje se vitin e kaluar u kryen punime mbi tre plane sulmi me qëllimin për të shkatërruar komplekset bërthamore në Iran, Kochavi shtoi se në rastin e përfshirjes në një luftë të madhe, në listën e objektivave do të jenë edhe zonat ushtarake.

“Vitet e fundit kemi përshpejtuar përgatitjet për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit dhe shumë objektiva të tjera”, u shpreh ai.

Më 16 janar, në vend të Kochavi, i cili është në largim, në detyrën e Shefit të Shtabit izraelit do të vijë, Herzi Halevi.

Kategoritë
BotaLajme