Shefja e BE-së përshëndet ndërprerjen e tarifave amerikane si hap kyç për stabilitetin global

“Tarifat janë taksa që dëmtojnë vetëm bizneset dhe konsumatorët”, tha ajo, duke theksuar avokimin e saj të gjatë për një marrëveshje “tarifa zero për zero” midis BE-së dhe SHBA-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ndërprerë tarifat gjithëpërfshirëse, duke e quajtur atë një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë mbrëmë vonë, von der Leyen theksoi nevojën kritike për kushte të qarta dhe të parashikueshme për të siguruar funksionimin e qetë të tregtisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

“Tarifat janë taksa që dëmtojnë vetëm bizneset dhe konsumatorët”, tha ajo, duke theksuar avokimin e saj të gjatë për një marrëveshje “tarifa zero për zero” midis BE-së dhe SHBA-së.

“BE mbetet e përkushtuar për negociata konstruktive me SHBA-në, me qëllim arritjen e një tregtie pa pengesa dhe të dobishme reciprokisht”, tha ajo.

Shefja e Komisionit Evropian theksoi përpjekjet e vazhdueshme të Evropës për të diversifikuar partneritetet tregtare në nivel global, duke u angazhuar me vendet që përbëjnë 87 për qind të tregtisë globale.

Këto partneritete, theksoi ajo, përputhen me angazhimin e BE-së për shkëmbime të lira dhe të hapura të mallrave, shërbimeve dhe ideve.

“Më në fund, ne po e shtojmë punën tonë për të larguar barrierat në tregun tonë të vetëm”, ​​shtoi ajo, duke e quajtur tregun e vetëm një “spirancë stabiliteti dhe qëndrueshmërie” gjatë kohërave të pasigurisë globale.

Ajo i siguroi qytetarët se ekipi i saj do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për të mbrojtur interesat e evropianëve, duke shtuar se “së bashku, evropianët do të dalin më të fortë nga kjo krizë”.

Dje, Trump njoftoi një pauzë 90-ditore të tarifave, megjithatë Kina është përjashtuar nga pauza dhe norma e tarifave ndaj mallrave kineze është rritur në 125 për qind.

Kategoritë
BotaLajme