Profesori, historiani dhe hulumtuesi malazez në Universitetin e Albertës në Kanada, Srxha Pavloviq, ka komentuar situatën “shqetësuese” në Mal të Zi, pas fitores së Jakov Millatoviq për president, i përkrahur nga partitë proserbe dhe proruse.
“Duhet të mbajmë mend që jashtë retorikës së mbushur nacionaliste, partitë proserbe në Mal të Zi, nuk kanë tjetër bazë tjetër politike mbi ku të qëndrojnë. Nuk kanë zgjidhje tjetër përpos t’u ofrojnë votuesve të tyre një dhuratë të mirënjohur: një shportë me fruta të helmuara të klero-nacionalizmit serb. Jashtë këtij peizazhi, parti të këtilla s’kanë as identitet e as rëndësi politike. Duke pasur këtë ndërmend, pres përnjëmend një fushatë të nxehtë”, ka thënë Pavloviq në një intervistë për Nacionale.
Gjithashtu, siç shkruan Nacionale, në lidhje me shqetësimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i artikuloi rreth zgjedheve presidenciale dhe parlamentare në Mal të Zi, me ardhjen e forcave proserbe dhe proruse, Pavloviq e ka të njëjtin mendim.
Madje, ai deklarimin e Kurtit e sheh edhe si mesazh ndaj forcave progresiste dhe jonacionaliste në Mal të Zi.
“Unë e ndaj këtë të njëjtin shqetësim me Albin Kurtin. Deklarimi i tij është gjithashtu paralajmërim për të gjitha forcat politike progresiste dhe jonacionaliste në Mal të Zi, për të gjetur një terren të përbashkët në mënyrë që të korrin fitore politike dhe të parandalojnë Malin e Zi që të jetë meny proverbiale politike e asaj omnivore*-je të paepur: klero-nacionalizmit serb”, ka theksuar ai.