Shërbimet sekrete ruse planifikuan vrasjen e drejtorit të fabrikës ushtarake në Gjermani, NATO konfirmon ekzistencën e planit

Një zyrtar i lartë i NATO-s ka konfirmuar se ka ekzistuar një plan rus për të vrarë Armin Papperger, drejtorin e prodhuesit gjerman të armëve Rheinmetall.

Sipas ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, James Appathurai, falë bashkëpunimit midis shërbimeve sekrete gjermane dhe amerikane, është parandaluar plani për likuidimin e Armin Pappergerit, drejtorit të një prej kompanive më të mëdha ushtarake në Evropë.

Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë i NATO-s, Gjermanisë apo Shteteve të Bashkuara e konfirmon zyrtarisht ekzistencën e planit për vrasjen e Pappergerit, për të cilin mediat ndërkombëtare raportuan gjerësisht në korrik të vitit 2024.

“Kemi parë incidente sabotazhi në vendet e NATO-s gjatë viteve të fundit, ku përfshihen dalja e trenave nga shinat, zjarrvënie, sulme ndaj pronave të politikanëve dhe konspiracione për vrasjen e liderëve të industrisë, si dhe komplotime të tjera,” deklaroi Appathurai.

Sipas tij, rusët rekrutojnë personel për këto konspiracione në internet, duke përdorur “banda kriminale ose të rinj të radikalizuar apo emigrantë” për të kryer veprat kriminale.

“Ato zakonisht realizohen në mënyrë të papërpunuar, por me një qëllim të caktuar, që është krijimi i shqetësimit për të minuar mbështetjen ndaj Ukrainës,” shtoi ai.

Papperger, si drejtor i përgjithshëm i Rheinmetall, përfaqësonte një kërcënim për shërbimet ruse, duke pasur parasysh rëndësinë e koncernit që ai drejton. Si një nga fabrikat më të mëdha të armëve në botë, Rheinmetall ka prodhuar një numër të madh sistemesh të avancuara të armatimit, të cilat janë dërguar si ndihmë ushtarake për forcat ukrainase.

Ndër të tjera, Papperger ka udhëhequr projektin për hapjen e një impianti të përbashkët midis Rheinmetall dhe kompanive ukrainase në Ukrainë, për të mundësuar riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve të blinduara që prodhon kjo kompani.

Kategoritë
BotaLajme