Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka arrestuar një grup të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin ushtarako-informativ rus (GRU), duke drejtuar sulme raketore ndaj Kievit.
Sipas njoftimit të SBU-së, janë ndaluar tre persona, përfshirë një shtetas rus. Ky grup dyshohet se, në bashkëpunim me GRU-në, ka ndihmuar në drejtimin e raketave ruse drejt fabrikave ushtarake, sistemeve të armëve të forcave të mbrojtjes ukrainase dhe depo-ve të municionit.
Shtetasi rus dyshohet se kishte ngritur një pikë vëzhgimi në çatinë e një ndërtese shumëkatëshe, që shërbente për korrigjimin e goditjeve të forcave ruse.
Sipas SBU-së, ai kishte jetuar në Ukrainë në një gjendje “pritjeje” derisa u aktivizua nga shërbimet ruse të sigurisë.
Dy të dyshuarit e tjerë janë një punonjës aktual dhe një ish-punonjës i kompanive të mbrojtjes ukrainase. Njëri prej tyre, sipas SBU-së, kishte mbledhur informacione për pasojat e sulmeve raketore ruse ndaj fabrikave dhe objekteve të riparimit, ndërsa tjetri kishte kërkuar nga ish-kolegët e tij të dhëna për objektiva të mundshme.