Shërbimi sekret qëlloi mbi një person të armatosur para Shtëpisë së Bardhë

Shërbimi Sekret Amerikan (USSS) qëlloi sot në mëngjes ndaj një burri të armatosur para Shtëpisë së Bardhë, ndërkohë që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk ndodhej në atë moment në ndërtesë.

Sipas kreut të komunikimit të Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, agjentët ishin informuar për një person me “synime vetëvrasëse” që kishte udhëtuar nga shteti federal i Indianës drejt Uashingtonit.

Ai theksoi se agjentët pranë Shtëpisë së Bardhë vunë re një person që i përkonte përshkrimit dhe gjetën automjetin e tij të parkuar.

“Kur iu afruan, personi nxori armën e tij dhe ndodhi një përplasje e armatosur, gjatë së cilës agjentët tanë qëlluan disa herë,” tha Guglielmi.

Personi i plagosur u dërgua në spital, por gjendja e tij shëndetësore mbetet e panjohur për momentin. Asnjë nga agjentët e Shërbimit Sekret nuk u lëndua.

Policia e Uashingtonit ka nisur një hetim, pasi incidenti ndodhi në një zonë nën juridiksionin e saj, raportoi CNN.

Kategoritë
BotaLajme