Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’ pranë Katedrales, që do të zgjatet deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’. Sipas të dhënave nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), kostoja e këtij projekti pritet të arrijë në 18 milionë e 400 mijë euro.
Lajmin për fillimin e këtyre procedurave dhe përfshirjen e transformimit të Sheshit ‘Zahir Pajaziti’ e bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, më 16 gusht 2024. Në një postim në rrjetin social Facebook, ai deklaroi: “Projekti i reviduar përfshin edhe transformimin e Sheshit Zahir Pajaziti dhe të hapësirave përreth”.
Derisa, në një konferencë të mëparshme më 07. 06. 2024, Rama kishte njoftuar se për realizimin e projektit për sheshin ‘Xhorxh Bush’ do të synohet përfshirja e sektorit privat, si një investim i ngjashëm me atë për Parkingun Nëntokësor brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës. Kjo është për shkak të buxhetit të limituar të komunës për investime kapitale, që për vitin 2024 është 40 milionë euro.
Ndërkohë, rruga ‘Xhorxh Bush’ ishte mbyllur për herë të parë në nëntor të vitit 2022 për festat e fundvitit dhe më pas u hap më 13 janar 2023 vetëm për autobusë, taksi dhe makina emergjente. Më pas, rruga u mbyll plotësisht për të nisur punimet për shndërrimin e saj në shesh, por këto punime u stagnuan për shkak të mungesës së një projekti të qartë dhe nisjes së procedurave të prokurimit.