Shifra alarmante: 59 infermierë kanë dhënë dorëheqje nga janari – kërkohen paga deri në 1 mijë euro për ta

Kryetarja e Odës së Infermierëve, Nexhmije Gori, në një intervistë për GazetaBlic, ka folur për ikjen e infermierëve nga Kosova pas liberalizimit të vizave dhe rrezikun që mund të paraqitet në mungesë të stafit mjekësor në institucionet publike dhe private.

“Me liberalizimin e vizave kërkesat kanë filluar dukshëm të rriten, unë konsideroj që është një rrezikshmëri e madhe për vendin tonë”, deklaroi ajo për GazetaBlic.

Ndërsa, e pyetur se sa ka qenë numri i dorëheqjeve vetëm në vitin 2023 dhe pas liberalizimit të vizave ajo tregon statistikat.

“Statistikat që ne i posedojmë, vetëm gjatë vitit 2023 kanë qenë 713 kërkesa për dorëheqje, në krahasim me vitet e kaluara deri tani kemi 59 kërkesa në dy muajt e fundit, është një trend që po rritet”, tha ajo për GazetaBlic.

Gori tutje thotë se nuk po rrezikohet vetëm sektori publik, por dhe ai privat në mungesë të stafit shëndetësor.

Krahas kësaj, Gori thotë se paga e një infermieri duhet të jetë 800 deri në 1000 euro.

“Paga e një infermieri në Kosovë duhet të jetë 800 deri në 1000 euro, do t’i përmbushte kërkesat e tyre”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Odës së Infermierëve ka folur dhe për ligjin e pagave, ku sipas saj, infermierët janë të pa kënaqur dhe janë të demotivuar.

“Ligji i pagave ka theksuar pakënaqësi të dukshme, profesionistët shëndetësorë janë të lënë pas dore dhe janë të demotivuar”, përfundoi Nexhmije Gori./Gazeta Blic/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi