Alvaro Morata (31) në korrik, me kombëtaren e Spanjës, u bë kampion i Europës, pasi Furija ishte më e mira në Kampionatin Europian në Gjermani, dhe më pas pasuan problemet private në jetën e këtij golashënuesi.
Prej javësh tashmë dihet që martesa e Moratës me influencuesen Alice Campello (29) ka përfunduar, dhe tani kanë dalë në dritë edhe arsyet e divorcit të tyre.
Sipas mediave spanjolle, shkak i divorcit të Moratës ishte festimi kampion pas fitores në finalen e Europianit kundër Anglisë, pasi tashmë ish-bashkëshortja e tij, Campello, e qortoi për faktin që në fushë gjatë festës ishte edhe familja e tij.
Campello kërkonte që aty të ishin vetëm katër fëmijët e tyre dhe miqtë e saj, dhe mediat spanjolle tani shkruajnë se sherri për shkak të pranisë së familjes në fushë pas finales ishte shkaku i divorcit.
Prindërit e Moratës dhe pjesëtarë të tjerë të familjes nuk ishin të mirëpritur në fushë për të festuar, gjë që çoi në një përkeqësim të madh të marrëdhënies mes futbollistit dhe influencueses pas tetë vitesh martesë.
Gjithçka përfundoi me divorc, dhe këtë verë Morata ndryshoi edhe klubin, pasi fanellën e Atletico Madridit e zëvendësoi me atë të Milanit. Kështu që ka nisur një kapitull tërësisht të ri në jetën e tij.
Së fundmi ai deklaroi për mediat spanjolle se me Alice ka mbetur në marrëdhënie të mira për shkak të fëmijëve të tyre, dhe të dy e kanë mohuar që Alvaro ka qenë i pabesë./Gazetaere