Shkatërrohet stadiumi legjendar Mestalla, Valencia do të marrë një stadium të ri me 70,000 vende

Klubi spanjoll i futbollit Valencia pritet të përfundojë stadiumin e ri deri në vitin 2027, ndërsa stadiumi legjendar Mestalla do të shkatërrohet.

Ndërtimi i stadiumit të ri të Valencias, me emrin Nou Mestalla, filloi para 16 vitesh, por u ndal shumë shpejt për shkak të mungesës së fondeve.

Valencia ka siguruar fondet e nevojshme falë një iniciative për rindërtimin e objekteve sportive pas përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar, dhe punimet kanë rifilluar këtë javë.

Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 70,000 spektatorësh dhe pritet të presë ndeshje të Kupës së Botës 2030.
“Valencia do të ketë stadiumin më modern kur të zhvillohet Kupa e Botës. Nëse Spanja ka njëmbëdhjetë stadiume pritës, Valencia nuk mund të mungojë nga Kupa e Botës dhe jam i bindur që do të jetë kështu. Ky është një detyrim i Federatës sonë. Po punojmë për këtë dhe kemi arritur tashmë disa përparime. Jam plotësisht i bindur që Valencia do të jetë mikpritëse e turneut,” tha presidenti i ri i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzan.

Kategoritë
Sport