Shkeli flamurin meksikan, Canelo kërcënon Messin: Uroj të mos e gjej përballë

Canelo Alvarez është zemëruar me Lionel Messin. Boksieri meksikan shikoi pamjet e festimeve të Argjentinës në dhomën e zhveshjes pas fitores 2-0 të vendit të tyre dhe në një moment Leo shihet duke shkelmuar një bluzë të rënë dhe një flamur meksikan.

Madje në rrjetet sociale ylli i Parisit u akuzua se fshiu dyshemenë me simbolet e Meksikës, diçka që e miratoi edhe Canelo që kërcënoi drejtpërdrejt Messin.

“Pashë Messin duke pastruar dyshemenë me fanellën dhe flamurin tonë. Shpresoj të mos e gjej para meje! Siç e respektoj unë Argjentinën, ashtu edhe ai duhet të respektojë Meksikën. Nuk po flas për vendin në tërësi, por vetëm për gjërat që bëri Messi”, ka shkruar në Twitter 32-vjeçari kampion bote që ka 58 fitore (39 me nokaut) dhe vetëm 2 humbje në karrierë.

Disa ndjekës të Canelos nxituan në mbrojtje të Messit, duke theksuar se ai nuk është ai lloj personazhi dhe mesa duket lëvizja fatkeqe e shfaqur në video ishte e rastësishme dhe jo e qëllimshme.

Kategoritë
Sport