Shkencëtarët shpjeguan pse ndodhin përmbytjet shkatërruese: “Pikërisht këtë e presim”

Qytete në të gjithë Evropën qendrore janë përmbytur për shkak të reshjeve të dendura gjatë fundjavës së kaluar. Shiu ka kthyer përroskat e qeta në lumenj të egër që kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë.

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën në rajonin nga Austria deri në Rumani. Nuk është vetëm Evropa ajo që është prekur nga përmbytjet. Javën e kaluar, fshatra në Mianmar dhe Nigeri u përmbytën, ku një zonë që strehon më shumë se një milion njerëz është nën ujë. Shkencëtarët e klimës janë të shqetësuar për dëmet, por nuk janë të habitur nga intensiteti i fenomeneve të motit.

“Reshjet katastrofike që goditën Evropën qendrore janë pikërisht ato që shkencëtarët presin me ndryshimet klimatike,” tha Joyce Kimutai nga Instituti Grantham në Imperial College London.

Ajo vuri në dukje se vdekjet dhe dëmet në Evropë dhe Afrikë tregojnë se sa keq është i përgatitur bota për përmbytjet. Shkencëtarët janë të kujdesshëm kur reshjet ekstreme i atribuohen ndikimit njerëzor, pasi ka kaq shumë faktorë që formësojnë ciklin e reshjeve. Edhe pse është e njohur se ajri më i ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, nëse do të ketë reshje të dendura varet edhe nga sa ujë është i disponueshëm për reshjet.

Shkencëtarja e klimës nga universiteti ETH në Zyrih, Sonia Seneviratne, deklaroi se analizat e menjëhershme të përmbytjeve në Evropën qendrore treguan se shumica e avullit të ujit vjen nga Deti i Zi dhe Deti Mesdhe, dhe të dy detet janë ngrohur, si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore. Meqenëse detet po bëhen më të ngrohta, ka gjithnjë e më shumë ujë që avullohet në ajër.

“Intensiteti i reshjeve të mëdha mesatarisht rritet me shtatë për qind për çdo gradë të ngrohjes globale. Temperatura globale është rritur me 1.2 gradë, që do të thotë se intensiteti i reshjeve është rritur mesatarisht me tetë për qind,” shpjegoi Seneviratne.

Kimutai ka veçuar të dhëna nga stacionet meteorologjike, sipas të cilave reshjet e shtatorit në Gjermani, Poloni, Austri, Çeki, Hungari dhe Sllovaki janë bërë më intensive që nga viti 1950, shkruan gazeta Guardian.

Kategoritë
BotaLajme