Shkencëtarët thonë se jemi “vetëm 89 sekonda” larg Ditës së Gjykimit, kurrë nuk kemi qenë më afër

Ora e Ditës së Gjykimit, që simbolizon sa afër është njerëzimi me shkatërrimin, është zhvendosur një sekondë përpara, duke treguar 89 sekonda deri në mesnatë – më afër se kurrë më parë.

Bulletin of Atomic Scientists (BAS), i cili vendos orën çdo vit, thekson se faktorët kryesorë janë kërcënimi bërthamor, mundësia e keqpërdorimit të përparimeve në biologji dhe inteligjencën artificiale, si dhe ndryshimet klimatike, sipas raportimit të BBC.

Daniel Holz, kryetar i Bordit të Shkencës dhe Sigurisë së Bulletin-it, tha se ky veprim i fundit është “një paralajmërim për të gjithë liderët botërorë”.

Ora fillimisht u vendos në shtatë minuta deri në mesnatë në vitin 1947. Vitin e kaluar mbeti e pandryshuar në 90 sekonda.

Në një deklaratë të martën, BAS, një organizatë jofitimprurëse me seli në Çikago, tha: “Duke vendosur orën edhe një sekondë më afër mesnatës, po japim një sinjal të qartë.

“Duke qenë se bota tashmë është rrezikshëm afër humnerës, edhe një sekondë vonesë në ndryshimin e kursit duhet të merret si një paralajmërim i skajshëm që çdo vonesë shton mundësinë e një katastrofe globale.”

Paralajmërohet se lufta e vazhdueshme në Ukrainë, e cila po i afrohet kufirit trevjeçar që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia, “mund të kthehet në bërthamore në çdo moment për shkak të një vendimi të pamenduar, aksidenti apo keqvlerësimi”.

“Konflikti në Lindjen e Mesme kërcënon të dalë jashtë kontrollit dhe të kthehet në një luftë të gjerë pa paralajmërim,” thuhet në deklaratë.

Paneli i shkencëtarëve gjithashtu deklaroi se “parashikimet afatgjata për përpjekjet globale për t’u përballur me ndryshimet klimatike mbeten të zymta, pasi shumica e qeverive nuk arrijnë të zbatojnë financimet dhe nismat politike të nevojshme për të ndaluar ngrohjen globale”.

Në arenën biologjike, BAS shtoi se “sëmundjet që shfaqen dhe ri-shfaqen vazhdojnë të kërcënojnë ekonominë, shoqërinë dhe sigurinë botërore”.

Gjithashtu është paralajmëruar se “një sërë teknologjish të tjera destabilizuese kanë përparuar vitin e fundit, duke e bërë botën më të rrezikshme”.

“Sistemet që përfshijnë inteligjencën artificiale për objektiva ushtarake janë përdorur në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, ndërsa disa shtete kanë filluar të integrojnë inteligjencën artificiale në ushtritë e tyre,” thuhet në deklaratë.

Organizata theksoi se të gjitha këto kërcënime “përkeqësohen ndjeshëm nga një faktor i fuqishëm shumëzues: përhapja e lajmeve të rreme, dezinformatave dhe teorive të konspiracionit, që degradojnë ekosistemin e komunikimit dhe gjithnjë e më shumë fshijnë kufirin midis të vërtetës dhe gënjeshtrës”.

BAS deklaroi se SHBA, Kina dhe Rusia “kanë fuqinë kolektive për të shkatërruar civilizimin” dhe se këto tre vende “kanë përgjegjësinë kryesore për të tërhequr botën nga buzë katastrofës”.

Kategoritë
BotaLajme