Shkencëtarët zbulojnë një lidhje befasuese midis sheqerit dhe kancerit të mushkërive

Kur flitet për rrezikun e kancerit të mushkërive, zakonisht mendohet për duhanpirjen apo ndotjen e ajrit. Megjithatë, shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje intriguese midis kësaj sëmundjeje dhe cilësisë së ushqyerjes.

Studiues nga Universiteti i Floridës dhe ai i Kentakit kanë zbuluar se molekula e glikogjenit – që ruan sheqerin e thjeshtë, glukozën – mund të veprojë si nxitës për zhvillimin e kancerit të mushkërive.

Në mostrat e indeve të njerëzve me adenokarcinomë të mushkërive – lloji më i përhapur i kësaj sëmundjeje, përgjegjës për rreth 40% të rasteve në mbarë botën – u gjetën nivele të larta të glikogjenit. Në testimet me minj, shkencëtarët zbuluan se nivelet e larta të glikogjenit ndihmojnë rritjen më të shpejtë të kancerit, ndërsa eliminimi i kësaj molekule e ngadalësoi rritjen e tumorit, raporton Science Alert.

Prej kohësh, shkencëtarët kanë vëzhguar lidhjen midis glikogjenit dhe disa llojeve të kancerit. Kjo molekulë duket se vepron si “ushqim” për qelizat kancerogjene, duke i ndihmuar të rriten mjaftueshëm shpejt për të shmangur sistemin tonë imunitar.

Glikogjeni krijohet nga karbohidratet që konsumojmë dhe ruhet si energji rezervë në muskujt tanë, duke u përdorur sidomos gjatë aktivitetit fizik. Ai gjithashtu akumulohet në trup si pasojë e dietave me përmbajtje të lartë të yndyrave dhe karbohidrateve.

Për të konfirmuar këtë lidhje midis ushqyerjes dhe kancerit të mushkërive tek njerëzit, nevojiten studime të mëtejshme – por rezultatet paraprake tregojnë për një lidhje të mundshme.

“Afatgjatë, qasja jonë ndaj parandalimit të kancerit duhet të pasqyrojë suksesin e fushatave kundër duhanit – duke vendosur më shumë theks në ndërgjegjësimin e publikut dhe strategjitë që nxisin zgjedhje më të shëndetshme ushqimore si pjesë themelore të parandalimit të sëmundjeve,” deklaron Ramon San, biolog molekular në Universitetin e Floridës.

Duhet theksuar se nivelet e larta të glikogjenit janë vërejtur vetëm në mostrat e adenokarcinomës së mushkërive dhe jo në lloje të tjera të kancerit të mushkërive.

“Kanceri i mushkërive tradicionalisht nuk konsiderohet si një sëmundje e lidhur me ushqimin,” përfundon San.

Kategoritë
FamiljeShëndetësi