Shkencëtari rus vdiq dy ditë pasi u arrestua për tradhti

Një shkencëtar rus, i cili u arrestua javën e kaluar në Siberi me dyshimin për tradhti, ka vdekur. Ai u dërgua në Moskë para vdekjes së tij, pavarësisht se vuante nga kanceri i avancuar i pankreasit, tha avokati i tij.

Shkencëtari Dmitry Kolker u dërgua në burgun Lefortovo të Moskës, tha avokati Alexander Fedulov, shkruan Reuters.

“Ai vdiq dje. Nesër do të bëjmë kallëzim për ndalimin e tij”, tha ai.

Familja e Kolker tha javën e kaluar se ai u mor nga një spital në qytetin siberian të Novosibirsk, ku po ushqehej përmes një tubi, në një fluturim për në Moskë nga oficerët e FSB-së.

Kolker ishte doktor i fizikës dhe matematikës. Familja tha se ai akuzohej për bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në Kinë, ku më parë ka mbajtur leksione shkencore.

Të shtunën, agjencia shtetërore e lajmeve TASS raportoi se Rusia kishte arrestuar një shkencëtar të dytë në Novosibirsk me dyshimin për tradhti. Nuk është e qartë nëse të dy rastet kanë lidhje.

Disa shkencëtarë rusë janë arrestuar dhe akuzuar për tradhti në vitet e fundit, pasi dyshohet se kanë kaluar materiale të ndjeshme te të huajt. Kritikët e Kremlinit thonë se arrestimet shpesh rrjedhin nga paranojë e pabazë.

Tradhtia shtetërore dënohet me burgim deri në 20 vjet.

Kategoritë
BotaLajme