Një gjeneral i Koresë së Veriut u plagos në një sulm raketor ukrainas në rajonin Kursk të Rusisë jugperëndimore, raportoi të enjten Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë anonimë perëndimorë.
Ukraina “gjuajti” të mërkurën të paktën 10 raketa “Storm Shadow” të furnizuara nga Britania e Madhe nga vijat e frontit në rajonin e Kurskut, thanë zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas mediave ukrainase, territori thuhet se strehonte një postë komanduese të ushtrisë ruse dhe një qendër komunikimi, me gjeneralë të Koresë së Veriut që dyshohet se ishin të pranishëm gjatë sulmit.
Burimet e cituara nga Wall Street Journal nuk zbuluan identitetin e gjeneralit të Koresë së Veriut që dyshohet se ishte plagosur në sulm, dhe as nuk dhanë detaje mbi plagët e tij.
Megjithatë, zyrtarët ukrainas dhe koreano-jugor më parë i thanë gazetës se Pheniani dërgoi gjeneralkolonelin Kim Yong Bok për të mbikëqyrur koordinimin e Koresë së Veriut me Rusinë.
Ushtria ruse konfirmoi të enjten se raketat Storm Shadow të furnizuara nga Britania u përdorën në sulm, ndërsa forcat lokale të mbrojtjes territoriale në rajonin e Kursk pretenduan se gjithsej 12 raketa u lëshuan në territorin e Maryino.
Zyrtarët perëndimorë akuzojnë Korenë e Veriut se ka vendosur rreth 10,000 ushtarë në rajonin e Kurskut, ku forcat ukrainase kryen një inkursion të befasishëm ndërkufitar në fillim të gushtit.
Në këmbim të mbështetjes së saj, Koreja e Veriut thuhet se ka marrë raketa të mbrojtjes ajrore dhe pajisje të tjera ushtarake nga Rusia, sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut, Shin Wonsik, i cili foli për mediat lokale të premten. /Telegrafi/