Anëtarja e Bordit të Administrimit të TMV-së, Seçer, tha se vazhdojnë misionin e tyre për të nxjerrë individë të virtytshëm të pajisur me vlera kombëtare e shpirtërore.
Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë, kanë pritur në një iftar përfaqësues të institucioneve vendore dhe organizatave turke, raporton Anadolu.
Anëtarja e Bordit të Administrimit të Fondacionit të Türkiyes Maarif (TMV), Prof. Dr. Zarife Seçer, ambasadori i Türkiyes në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci dhe përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë Mehmet Nedim Aslan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, deputetë dhe mysafirë të tjerë, morën pjesë në iftarin e mbajtur në qendrën e Maarifit në Prishtinë.
Anëtarja e Bordit të Administrimit të TMV-së, Seçer, tha se vazhdojnë misionin e tyre për të nxjerrë individë të virtytshëm të pajisur me vlera kombëtare e shpirtërore, si dhe me sukses akademik, me aktivitetet edukative që kryejnë në 55 vende.
Seçer tha se shkollat Maarif në Kosovë janë ndër shembujt e mirë të këtij misioni.
“Ne vazhdojmë punën tonë me vendosmëri për t’i arsimuar fëmijët dhe të rinjtë tanë në mënyrën më të mirë me një mirëkuptim të bazuar në cilësinë në arsim dhe vlerat universale njerëzore”, tha ajo.
Ambasadori Angılı po ashtu deklaroi se shkollat Maarif kontribuojnë në zhvillimin e vëllazërisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Türkiyes dhe Kosovës.
“Me shkollat e saj në Prizren dhe Prishtinë, Maarif kontribuon në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës dhe në edukimin e gjeneratave që do ta forcojnë edhe më shumë Kosovën”, tha ambasadori Angılı.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes Maqedonci theksoi marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Türkiyes.
“Po ndërtojmë ura bashkëpunimi me shtetin dhe kombin turk, po thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë, në të cilin kemi arritur suksese të jashtëzakonshme, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, theksoi ministri Maqedonci.
Përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Aslan, theksoi se shkollat Maarif kanë filluar të veprojnë në Kosovë nga viti 2017 dhe më shumë se 770 nxënës aktualisht ndjekin mësimet në këto shkolla, në Prishtinë dhe në Prizren.