Mijëra njerëz akoma janë pa energji elektrike, ujë të pijshëm apo ushqim. Shumë të tjerë janë bllokuar në shtëpitë e tyre, me makina apo mbeturina të grumbulluara para dyerve të vendbanimeve të tyre.
Si pasojë e përmbytjeve në Spanjë, numri i të vdekurve është rritur në të paktën 205, derisa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në rajonet e goditur nga përmbytjet, raporton Anadolu.
Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles, bëri të ditur se disa zona mbeten të paarritshme tre ditë pas stuhisë.
Mijëra njerëz akoma janë pa energji elektrike, ujë të pijshëm apo ushqim. Shumë të tjerë janë bllokuar në shtëpitë e tyre, me makina apo mbeturina të grumbulluara para dyerve të vendbanimeve të tyre.Ministrja Robles njoftoi se 500 persona shtesë nga personeli ushtarak u vendosën gjatë ditës së djeshme, me të tjerë që do të pasojnë gjatë ditës së sotme.
Në një intervistë për transmetuesin ‘RTVE’, Robles tha se do të vendosin “të gjithë ushtrinë prej 120 mijë anëtarësh nëse kjo është ajo që duhet bërë”.
“Nuk ka të bëjë vetëm me numrin e njerëzve. Kjo nuk është e lehtë. Mbetet kaq shumë për të bërë, nga shpresa për të shpëtuar më shumë njerëz të gjallë, rikuperimin e trupave, hapjen e rrugëve, furnizimin e qyteteve të izoluara dhe ofrimin e mbështetjes psikologjike, e cila dëshpërimisht është e nevojshme mes kaq shumë dhimbjeje”, theksoi ajo.
Një numër i panjohur njerëzish akoma mbeten të zhdukur.
“Ushtria po përdor drone në zona që nuk mund t’i arrijmë. Magnituda e dëmit është e paprecedentë. Ka ende mori makinash, me njerëz, me familje që mund të jenë brenda. Tragjedia është e tmerrshme. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi”, tha Robles.
Në atë që do të hyjë në histori si një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse në Spanjë, një stuhi intensive çoi në shira me një nivel prej rreth një viti në vetëm disa orë, duke bërë që lumenjtë të vërshojnë nga brigjet e tyre dhe të shkaktojnë përmbytje të rënda. Rrugët shumë shpejt u kthyen në lumenj të fuqishëm.
Banorët u kapën në befasi, shumë prej të cilëve ende ishin duke vozitur ose lëshuan shtëpitë e tyre për t’i zhvendosur makinat e tyre në një tokë më të lartë, të pavetëdijshëm për shkallën e përmbytjeve. Disa të tjerë në katet përdhesë të ndërtesave nuk patën kohë të kërkojnë vende më të sigurta.
Të martën, në kohën kur qeveria e Valencias dërgoi një alarm në telefonat celular, shumë nga dëmet tashmë ishin bërë. Linjat e urgjencës ishin të mbingarkuara nga thirrjet, ndërkohë misionet e shpëtimit bënë thuajse të pamundurën për shkak të motit dhe shkallës së madhe të nevojës.
Dëme të mëdha në infrastrukturën spanjolle
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka premtuar se Spanja do të përdorë të gjitha masat e mundshme për të ndihmuar viktimat dhe për të rivendosur normalitetin në rajon.
Bashkimi Evropian (BE), nga ana tjetër, ka premtuar mbështetje për përpjekjen e madhe të nevojshme për të rindërtuar zonat e shkatërruara.
Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, tha se rreth 80 kilometra autostrada dhe rrugë janë shkatërruar tërësisht. Ai theksoi se autostrada kryesore që lidh Valencian me Madridin pritet që të marrë të paktën dhjetë ditë për t’u rihapur.
Ndërkohë, linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë që lidh Valencian dhe Madridin do të jetë jashtë shërbimit për rreth 15 ditë. Sipas ministrit Puente, rreth 100 mijë bileta për atë linjë u shitën vetëm për këtë fundjavë.
Rrjeti lokal i trenave është në gjendje shumë më të keqe dhe do të duhet muaj për t’u riparuar.
“Situata është jashtëzakonisht e rëndë. Shumë zona janë të paarritshme nga çdo lloj automjeti”, tha Puente, duke shtuar se prioriteti mbetet fokusimi tek personat e zhdukur dhe adresimi i tragjedisë njerëzore.
Stuhia përgjegjëse për tragjedinë mbetet aktive në Spanjë dhe që nga e marta ajo ka shkaktuar më pak përmbytje të rënda në disa zona të vendit.
Dje, agjencia meteorologjike e Spanjës (AEMET) vendosi zonën Huelva në Andaluzi në alarm të kuq për reshje të fuqishme të shiut. Pjesa më e madhe e bregdetit mesdhetar të Spanjës po ashtu mbetet nën alarm portokalli ose të verdhë për shira të dendur.