Ka shkuar në të paktën nëntë numri i të vdekurve si pasojë e shpërthimit të radiolidhjeve të grupit Hezbollah, të mërkurën në shumë pjesë të Libanit.
Sipas ministrisë libaneze të Shëndetësisë, më shumë se 300 të tjerë janë lënduar nga eksplodimet.
Ngjarja ka ndodhur vetëm një ditë pas shpërthimeve të pejxherëve të Hezbollahut në Liban dhe Siri, nga të cilat kanë mbetur të paktën 12 të vdekur dhe rreth 3,000 të lënduar.
Hezbollahu ka fajësuar për sulmet Izraelin dhe është zotuar për hakmarrje.
Ngjarjet kanë ngritur tensionet mes grupit dhe shtetit izraelit, të cilët kanë shkëmbyer sulme që kur ka nisur lufta në Gaza.
Shpërthime të reja në Liban, të paktën tre të vdekur
Të paktën tre persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e një serie shpërthimesh të tjera që kanë ndodhur të mërkurën në Bejrutin jugor.
Shpërthimet raportohet të kenë ndodhur këtë radhë në pajisjet e radiolidhjeve.
Një burim ka thënë për AFP-në se shpërthimet e radiovelidhjeve kanë ndodhur në bastionin e Hezbollahut në Bejrut, kryeqyteti i Libanit.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se qindra njerëz janë lënduar nga shpërthimet të mërkurën. Burimet i kanë thënë Reutersit se shumica e personave kanë pësuar lëndime në duar dhe stomak.
Burimet kanë thënë po ashtu se radiolidhjet ishin blerë nga Hezbollahu pesë muaj më parë.
Një ditë më parë kanë shpërthyer pejxherët e grupit Hezbollah njëkohësisht në Liban dhe Siri, duke lënë të paktën 12 të vdekur, mes tyre dy fëmijë, dhe rreth 3,000 të tjerë të lënduar.
Hezbollahu për sulmin ka fajësuar Izraelin, derisa është zotuar për hakmarrje.