Organizatorët e ngjarjes thanë se pavarësisht anulimit të manifestimeve në Ukrainë për shkak të kërcënimit të bombardimeve të mundshme, ukrainasit në mbarë botën dolën në sheshe për të shënuar Ditën e Pavarësisë
Ambasada e Ukrainës në Shkup dhe Shoqata e Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut “Lesja Ukrainka” organizuan një ngjarje për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në qendër të Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizatorët e ngjarjes thanë se pavarësisht anulimit të manifestimeve në Ukrainë për shkak të kërcënimit të bombardimeve të mundshme, ukrainasit në mbarë botën dolën në sheshe për të shënuar Ditën e Pavarësisë.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, në këtë aktivitet u interpretua njëkohësisht himni kombëtar i Ukrainës në 50 vende të botës dhe u zbulua një flamur i madh ukrainas.
Ushtruesi i detyrës Ambasador i Ukrainës në Shkup, Roman Buga, tha se ukrainasit duhet të jenë të qëndrueshëm deri në fitoren e tyre, “sado të jetë e nevojshme për t’i bërë okupatorët të përgjigjen për të gjitha sulmet dhe terrorin e tyre”.
“Ukraina ishte, është dhe do të jetë gjithmonë një vend i pavarur dhe i bashkuar. Lavdi Ukrainës dhe lavdi heronjve”, tha Buga.
Kryetari i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut “Lesja Ukrainka”, Alexandr Urbanovitch, tha në fjalimin e tij se Dita e Pavarësisë është festa më e rëndësishme, duke shtuar se pavarësia është pikërisht ajo për të cilën po luftojnë ukrainasit dhe se “ne nuk do t’ia japim pavarësinë askujt”.
Ai falënderoi gjithashtu të gjitha vendet që ndihmojnë me armatime dhe duke trajnuar ushtarët ukrainas, si dhe me ndihma humanitare.
“Sigurisht, ne jemi përplot mirënjohje të madhe për Maqedoninë (e Veriut), një vend i vogël me zemër luani, i cili dha edhe më shumë se sa mundi për mbështetjen tonë. Ne ukrainasit nuk do ta harrojmë kurrë këtë ndihmë”, tha Urbanovitch.
Ai gjithashtu tha se gjatë agresionit ushtarak rus, i cili filloi saktësisht 6 muaj më parë, u rrënuan më shumë se 23 mijë ndërtesa civile dhe vetëm 2 mijë ndërtesa ushtarake, që sipas tij tregon se ky është gjenocid.
Në këtë aktivitet, përveç dhjetëra ukrainasve, ishin të pranishëm edhe ambasadorë dhe përfaqësues të disa vendeve perëndimore.