Shoqata e Gastronomëve kërkesë sektorit të gastronomisë: Kuponat fiskal lëshojini me 8%

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, pas miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili parasheh lehtësimin e normës tatimore për gastronominë nga 18% në 8 sosh, iu ka bërë thirrje sektorit të gastronomisë ta zbatojnë vendimin e qeverisë.

Kjo shoqatë, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka treguar se çfarë thotë ligji dhe, së këndejmi, iu ka bërë thirrje që të zbatohet dhe, sipas tyre, t’u ndihmohet qytetarëve dhe gastronomëve, shkruan Gazeta Express.

Ndryshe, Ligji për Rimëkëmbje u miratua të premten e kaluar, pas aprovimit të katër amandamenteve të shtuara në projektligj nga partia opozitare PDK.

NJOFTIM INFORMUES PËR BIZNESET E HORECA

Të dashur gastronomë,

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, (këtu e tutje “Ligji”) që nga data 07/12/2020 ka hyrë në fuqi. Nga ky ligj kuptojmë që norma tatimore për gastronomi nga niveli 18%, do të reduktohet në 8%. Për më shumë kuptoni në tekstin vijues:

Neni 7 i këtij Ligji bën plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (këtu e tutje “Ligji për TVSH”).

Sipas këtij Ligji, neni 26 i Ligjit për TVSH, pas nën-paragrafit 2.13., shtohet një nën-paragraf i ri, me numrin rendor 2.14., me tekstin si në vijim:

2.14. furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit.

Nga kjo dispozitë nënkuptojmë që produktet si ushqimore, ashtu edhe të pijeve, të cilat shërbehen nga sektori i gastronomisë duhet të reduktohen nga norma tatimore 18%, në 8%.

Thënë ndryshe, arkat fiskale duhet të riprogramohen dhe kuponat fiskal duhet të lëshohen me 8%, pasiqë ky ligj është në fuqi dhe nga ky ligj tashmë si qytetarët ashtu edhe sektori i gastronomisë mund të përfitojnë duke kontribuar në normë tatimore të zbritur.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi