Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze: U qëlluan 15 punonjës humanitarë me qëllim vrasjeje

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze ka njoftuar se 15 mjekë dhe shpëtimtarë palestinezë, të vrarë muajin e kaluar nga forcat izraelite në Gaza, janë qëlluar në pjesën e sipërme të trupit me “qëllim për t’i vrarë”.

Pesëmbëdhjetë punonjës të ndihmës së shpejtë, përfshirë të paktën një punonjës të OKB-së, u vranë më 23 mars në qytetin jugor të Rafahut. Kombet e Bashkuara thanë se forcat izraelite i ekzekutuan ata “një nga një” dhe më pas i varrosën në një varr masiv.

Kur trupat u gjetën, ata ende mbanin uniformat mjekësore dhe dorezat në duar.

“U krye autopsia e dëshmorëve të Gjysmëhënës së Kuqe dhe ekipeve të mbrojtjes civile. Nuk mund të zbulojmë gjithçka që dimë, por do të them se të gjithë dëshmorët janë qëlluar në pjesën e sipërme të trupit, me qëllim për t’i vrarë. Ne i bëjmë thirrje botës të krijojë një komision ndërkombëtar të pavarur dhe të paanshëm për të hetuar rrethanat e vrasjes së qëllimshme të stafit të urgjencës në Rripin e Gazës,” deklaroi Younis Al-Khatib, president i Gjysmëhënës së Kuqe në Bregun Perëndimor, nën pushtim izraelit.

Ushtria izraelite tha se ushtarët e saj kishin qëlluar ndaj “terroristëve” që u afruan në “automjete të dyshimta” dhe më pas shtoi se këto automjete kishin pasur dritat e fikura.

Megjithatë, një video e nxjerrë nga telefoni celular i njërit prej punonjësve humanitarë të vrarë, e publikuar nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, kundërshton deklaratat e ushtrisë izraelite. PRCS kërkon një hetim të pavarur për vrasjen e punonjësve të ndihmës nga ana e Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme