Shoqata Handikos nga Kosova ndanë 150 karroca për të prekurit nga tërmeti në Turqi

Transportimi i karrocave drejtë Türkiyes është bërë me përkrahjen e Ambasadës së Türkiyes në Kosovë

Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës “Handikos” ka nisur për në Türkiye 150 karroca me qëllim të lehtësimit të nevojave për të prekurit e tërmetit të rëndë që ndodhi më 6 shkurt, transmeton Anadolu.

Siç njofton “Handikos”, vendimi për dërgimin e karrocave në Türkiye ka ardhur pas kërkesës së donatorit të tyre të pajisjeve ndihmëse “The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints-LDS” nga SHBA-ja.

Transportimi i karrocave drejt Türkiyes është bërë me përkrahjen e Ambasadës së Türkiyes në Kosovë.

“Llojet e karrocave të destinuara atje janë të përshtatshme për raste të ndryshme, ndërkohë që edhe në vendin tonë janë në kërkesë e në nevojë të madhe”, thuhet në njoftim.

Shoqata “Handikos” shton se bazuar në donacione “do të vazhdojë gatishmërinë për mbështetje me pajisje ndihmëse për çdokënd që ka nevojë”.

Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Türkiye-n jugore muajin e kaluar është rritur në 48.448, njoftoi këtë javë ministri turk i Punëve të Brendshme, Suleyman Söylu.

Më shumë se 13.5 milionë njerëz në Türkiye u prekën nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit me magnitudë 7.7 dhe 7.6 në gjithsej 11 provinca.

Kategoritë
LajmeVendi