Shpallen 3 ditë zie në Mal të Zi pas masakrës në Cetinjë

Në të shtënat që ndodhën të premten në lagjen Medovina të Cetinjes, afër godinës së qeverisë, 11 persona mbetën të vrarë, ndërsa gjashtë të plagosur

Qeveria e Malit të Zi ka shpallur 3 ditë zie në gjithë territorin e vendit, me rastin e tragjedisë në Cetinjë. Flamujt në të gjitha ndërtesat shtetërore dhe objektet e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve publike janë ulur në gjysmështizë mëngjesin e sotëm dhe janë anuluar të gjitha aktivitetet publike në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në të shtënat që ndodhën të premten në lagjen Medovina të Cetinjës, afër godinës së qeverisë, kanë mbetur të vrarë 11 persona, ndërsa gjashtë janë plagosur.

Në përputhje me vendimin e qeverisë, ditët e zisë janë e shtuna, e diela dhe e hëna.

“Me rastin e zisë treditore, në përputhje me Ligjin për simbolet shtetërore dhe festën kombëtare, flamujt do të ulen në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat e organeve shtetërore dhe objektet e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve publike”, thuhet në deklaratë.

Siç thuhet, në ditët e zisë nuk do të zhvillohen programe publike, kulturore dhe argëtuese në ambiente publike dhe nuk do të transmetohet muzikë në ambientet e hotelerisë.

Mediat elektronike dhe mediat e tjera janë të detyruara që përmbajtjet e tyre programore t’i përshtatin përkujtimit të ditëve të zisë.

Për shkak të zisë treditore, të gjitha aktivitetet sportive në Mal të Zi janë anuluar.

Kategoritë
LajmeRajoni