Shpella e Radacit një bukuri e mahnitshme e Kosovës (Foto)

Pak kilometra në rrugën që të çon në drejtim të Rozhajës, pasi të jesh shkëputur nga qyteti i Pejës, ka një vend në të cilin temperaturat janë gjithmonë të ulëta, pavarësisht se ç’mot mbanë përreth. Ky vend, mjaft i vizituar nga turistët anekënd globit, ndryshe quhet edhe Bukuroshja e Fjetur – shkruan Gazeta e Re.

Nën sipërfaqen e Alpeve Shqiptare fshihet një botë e bukur dhe magjike me skulptura, dekorime dhe shtazë të jashtëzakonshme. Në gjirin e këtyre alpeve ndodhet edhe Shpella e Radacit e cila prej orës 10:00 deri në 17:30 pret vizitorë, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vende të ndryshme të botës.

I mahnitshëm dukej ky vend për çiftin i cili kishte ardhur nga Arabia Saudite për të parë bukuritë e Kosovës. Në shtegun e hapur prej 300 metrave, nga 2.1 kilometra sa mendohet t’i ketë  Shpella e Radacit, vizitorët i priste ciceroni për t’ua shpjeguar specifikat e kësaj shpelle të mahnitshme.

Hyrja e shpellës është nga veri-lindja me një korridor të ngushtë, i cili ka formën e një tuneli. Posa të futesh, do t’i vëresh zbukurimet e para të saj.

Ciceronia shpjegonte se ‘’Bukuroshja e fjetur’’ është e ndarë në tri pjesë: Galeria hyrëse e cila gjendet në fillim të shpellës, galeria qendrore në të cilën gjenden zbukurime të tjera, si dhe lakuriqët të cilët janë karakteristikë e kësaj pjese dhe  janë të ekspozuar në pjesën qendrore, prandaj galeria qendrore ndryshe njihet edhe si galeria e lakuriqëve.

Pjesa e fundit e shpellës është galeria e vaskave, njëherësh pjesa më e bukur e shpellës. Këto vaska janë të formuara nga rrjedha e ngadalshme e ujit. Pranë këtyre vaskave gjendet edhe forma e gdhendur e një dore e cila është edhe simboli i shpellës.

Kujtojmë se rajoni i Pejës njihet për numrin e madh të shpellave, ku veç Shpellës së Radacit aty gjendjet edhe Gryka e Madhe, Shpella e Mbretëreshës, ajo e Karamakazit, Demajve, Kallabës dhe Borës. Po të mbështetemi në gjetjet e arkeologëve, gjurmët e identifikuara brenda shpellës flasin për njeriun e paleolitit, i cili duket që dikur kishte bredhur edhe në këto vise. /Gazetaere.com

 

Kategoritë
KulturëVendi