Shqipëri, arrestohen dy persona për djegien e flamujve të Serbisë

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”

Policia e Shqipërisë ka arrestuar dy persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë në lidhje me incidentet e protestës së djeshme të mbajtur në Tiranë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kundër nismës “Ballkani i Hapur”, ku u grisën dhe dogjën flamujt kombëtar të Serbisë.

Në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë thuhet se strukturat e policisë, pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave “që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit'”.

“Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës. Këta shtetas, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në lidhje me incidentet në protestë, hetimet do të vazhdojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ndërkohë të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.

Kujtojmë se gjatë protestës së djeshme të thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe mbështetur nga simpatizantë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, u shënuan edhe incidente, pasi u grisën dhe dogjën flamujt e Serbisë që ishin vendosur në bulevard në kuadër të takimeve mbi nismën “Ballkani i Hapur”.

Sipas organizatorëve, protesta u mbajt pasi, “Vuçiq akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia”, “Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe” dhe se “Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesor”.

Kategoritë
LajmeRajoni