Shqipëri, ekspozitë me dokumentet e Kongresit të Lushnjës

Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka organizuar një ekspozitë me temë “Kongresi i Lushnjës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspozita me dokumente dhe fotografi hapet me rastin e 102-vjetorit të Kongresit të Lushnjës.

Në fjalën e tij, drejtori i Pergjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, tha se në ekspozitën e sotme janë paraqitur dokumentet origjinale të Kongresit të Lushnjës që është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, themelimi i shtetit modern shqiptar.

“Është kënaqësi të prezantojmë në Galerinë e Arteve një ekspozitë me dokumentet origjinale në lidhje me një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare si Kongresi i Lushnjës, që është në fakt themelimi i shtetit modern shqiptar. Ne herë pas here zhvillojmë ekspozita të tilla me dokumente origjinale, sepse dokumenti origjinal është i pazëvendësueshëm dhe nëpërmjet tij ne mund të krijojmë jo vetëm thjeshtë idenë e veprimtarisë dhe ngjarjes së kohës, por edhe shijen që ajo ka përmes letrës, përmes dokumentit siç ajo është shkruar asokohe apo fotografive të kohës dhe që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror”, deklaroi Bido.

Tema e dokumenteve të paraqitura në ekspozitë është e fokusuar tek organizimi i Kongresit të Lushnjës, vendimet përkatëse, qeveria e parë e dalë nga ky Kongres, aktet e para zyrtare dhe të tjera.

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga data 28 deri më 31 janar të vitit 1920 dhe ajo shënon edhe fillimet e parlamentarizmit shqiptar. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.

Kategoritë
LajmeRajoni