Shqipëri, fillon Shkolla Rinore Ballkanike 2022

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, mbajti leksionin e parë me temë “Analiza e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy shteteve mike”, me fokus në lidhjet dhe marrëdhëniet në fusha të ndryshme mes Shqipërisë dhe Turqisë

Në Tiranë është organizuar aktiviteti i hapjes së Shkollës Rinore Ballkanike 2022, që organizohet nga Shoqata e të Diplomuarve në Turqi e Shqipërisë (TUMED) në bashkëpunim me Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, mbajti leksionin e parë me temë “Analiza e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy shteteve mike”, me fokus në lidhjet dhe marrëdhëniet në fusha të ndryshme mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe në miqësinë mes dy popujve, duke i konsideruar marrëdhëniet mes dy vendeve si shumë të mira dhe të frytshme.

Yörük theksoi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë shumë të thella, duke shtuar se Turqia në Ballkan apo në Shqipëri nuk ka ndonjë synim të fshehtë dhe se Turqia dëshiron që fqinjët të kenë qëndrueshmëri dhe mirëqenie të mirë sociale dhe ekonomike.

Ai tha se bashkëjetesa dhe afrimiteti mes dy popujve ka bërë që në fusha të ndryshme, si arsimi, ushtria, ekonomia, politika dhe në shumë fusha të tjera, bashkëpunimi të jetë frytdhënës.

“Unë këtu jam rreth katër vite në detyrë dhe kam parë që mes dy popujve tanë kemi pas një miqësi, afrimitet dhe gjithmonë Shqipëria ka pasur një vend të veçantë për Turqinë. Turqia ka qenë gjithmonë mbështetëse për çdo lloj gjëje, iu ka gjendur Shqipërisë në të gjitha fushat që ka pasur nevojë. Në këtë 30-vjeçarin e fundit, si në çështjen e ekonomisë dhe të veprimtarive të tjera, marrëdhëniet kanë arritur në nivelet më të larta të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve”, tha Yörük.

Ambasadori turk theksoi se rritja e marrëdhënieve në fusha të ndryshme është arrit si fryt i dy liderëve dhe diplomacisë së dy liderëve, presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që sipas tij kanë arritur që të forcojnë marrëdhëniet shqiptaro-turke në të gjitha aspektet.

Ai tha se në vitet e fundit ka pasur takime të nivelit të lartë mes dy shteteve, duke iu referuar edhe vizitës së kryeministrit Rama në Turqi në vitin 2021 dhe presidentit Erdoğan në Shqipëri në vitin 2022, si dhe deklaratës së përbashkët të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Ambasadori turk, duke kujtuar Traktatin e Miqësisë së Përjetshme midis dy vendeve të nënshkruar në vitin 1923, krahasoi nënshkrimin e traktatit që vitin që vjen shënon 100-vjetorin me zyrtarizimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Ai theksoi se sa i përket fushës ekonomike, marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, me një ecuri të frytshme, duke rikujtuar se në Shqipëri janë 600 kompani turke që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fusha të ndryshme.

Kryetari i TUMED-it, Egert Haxhiu, tha se Shoqata e të Diplomuarve në Turqi, që nga themelimi në vitin 2018 ka vazhduar përpjekjet për të bashkuar të diplomuarit shqiptarë në Turqi dhe për të forcuar lidhjet e ngushta me Turqinë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme.

Ai tha se në programin 6-javor të Shkollës Rinore Ballkanike synohet të trajtohen çështjet nga fusha e kulturës, arsimit dhe politikës.

Në seminaret e Shkollës Rinore Ballkanike që zhvillohen për disa javë do të marrin pjesë të rinj që studiojnë në degë të ndryshme në Shqipëri.

Kategoritë
LajmeRajoni