Shqipëri, hapet ekspozita për luftën në Kosovë

Dhjetëra fotografi të ekspozitës kanë në fokus sipas organizatorëve, “dhunën, terrorin dhe gjenocidin serb në Kosovë, luftën çlirimtare të UÇK-së, përkrahjen e NATO-s, plagën e të pagjeturve, si dhe krijimin e institucioneve”

Në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi “Mos harro”, për luftën e fundit në Kosovë, ekspozitë e organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra fotografi të ekspozitës kanë në fokus sipas organizatorëve, “dhunën, terrorin dhe gjenocidin serb në Kosovë, luftën çlirimtare të UÇK-së, përkrahjen e NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare, plagën e të pagjeturve, si dhe krijimin e institucioneve shtetërore”.

Në ceremoninë e hapjes të organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe studiues dhe të cilët u njohën nga afër me fotografitë e ekspozitës.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, ekspozitën e konsideroi të rëndësishme sipas tij për memorien kombëtare.

“Është një kënaqësi e veçantë për Muzeun Historik Kombëtar të bëjë të mundur hapjen e kësaj ekspozite të rëndësishme për memorien tonë kolektive, për memorien tonë kombëtare, ekspozitën ‘Mos harro’, të ideuar dhe konceptuar nga Ragip Zekolli, një nga dëshmitarët okularë të saj kohe të vështirë ku dhuna dhe represioni serb ranë si një rrebesh mbi pjesën martire të shqiptarëve në Kosovë”, tha Koçi.

Duke iu referuar temës së ekspozitës, Koçi theksoi se ekspozita i jep një lloj mundësie edhe brezit të ri të Shqipërisë, por edhe vizitorëve të shumtë të huaj, të njihen me temën në fjalë.

Ekspozita e cila përmban 70 fotografi do të qëndrojë e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë për disa ditë. Ajo është hapur edhe në Prishtinë, si dhe do të hapet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Kategoritë
BotaLajme